Skip to content

VIDEO/ Fëmijët në Bulqizë mes vështirësive, gazetari ngre shqetësimin: Duhet të ishin duke luajtur por janë duke mbledhur krom

Gazetari Enver Doçi ka ngritur shqetësimin për vështirësitë që kalojnë fëmijët në Bulqizë, të cilët mbledhin krom kur duhet të ishin duke u argëtuar, sipas Doçit .

Në një video të publikuar nga ai, shihen fëmijët duke punuar pranë minierave të kromit. Gazetari shkruan që jo gjithmonë dita shkon mirë për ta dhe përshembull ditën e sotme njëri prej tyre u rrëzua teksa punonte dhe fëmijët e tjerë u mblodhën shpejt rreth tij për ta ndihmuar.

Ai shton se kjo situatë në qytetin e minatorëve vijon prej vitesh, duke shtuar se edhe pse herë pas here bëhet sikur merren masa për ta ndaluar këtë fenomen, institucionet nuk veprojnë më pas ndonjë rasti që bëhet publik.

Reagimi:

Fëmijët, “gjuetarët” e kromit në Bulqizë

Duhej të ishin pushim në shtëpi, në ndonjë park lojërash, apo të kishin dalë me familjen, por nuk ndodh kështu me fëmijët e Bulqizës. Ditët e pushimit ata i shfrytëzojnë për t’ju drejtuar stogjeve të kromit në kërkim të ndonjë cope guri të çmuar, me të cilin sigurojnë disa të ardhura.

Siç shihet edhe nga pamjet, këtë të hënë, 6 fëmijë i janë ngjitur shpatit të stogut të kromit që ndodhet mbi lagjen e vjetër të qytetit të Bulqizës. Me kova në duar, fëmijët kontrollojnë gjithë zonën për të gjetur ndonjë gurë, të cilin e tregtojnë më pas në qytet.

Fëmijët e vegjël i vijnë vërdallë shpatit të stogut të kromit me shpresën se do të gjejnë gurët. Por dita e sotme nuk ishte me fat sidomos për njërin prej tyre, i cili u rrëzua nga një lartësi e konsiderueshme. Shokët ndërpresin punën për t’i ardhur në ndihmë.

Xhirimet e sotme janë bërë nga distanca, pasi nëse fëmijët do të kishin konstatuar nuk do të qëndronin aty. Kjo situatë në qytetin e minatorëve vijon prej vitesh. Ndonëse herë pas here bëhet sikur merren masa për ta ndaluar këtë fenomen, institucionet nuk veprojnë më pas ndonjë rasti që bëhet publik.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb