Policia e Durrësit jep detaje nga aksioni i zhvilluar këtë mbrëmje, ku u sekuestruan dy mina me telekomandë dhe u arrestua një person.

Në pranga ka rënë shtetasi Paulin Deda, 34 vjeç, banues në Milot, Kurbin, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas bluve të Durrësit, minat me telekomandë do shiteshin kundrejt çmimit 6000 euro.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Terminali”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Paulin Deda, 34 vjeç, banues në Milot, Kurbin, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”.

Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar këtë shtetas në lagjen nr.13, Plazh, Durrës, në vendin e quajtur “Terminali i autobuzëve”, dhe gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të cilat ky shtetas do t’i shiste kundrejt shumës 6000 euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re