Operacioni “Bregdeti ynë” vijon në vijën bregdetare në vendin tonë për heqjen e hapësirave publike që janë zënë në mënyrë të paligjshme.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se ka nisur procedimi penal për 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra të vendosura pa lejen përkatëse.

NJOFTIMI I POLICISË
Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Durrës, Stacionit të Policisë Plazh dhe të Policisë Bashkiake, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në territorin e bregdetit të Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve, ditën e djeshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht shtetasit:
I. K., G. A., K. G. dhe D. B., banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën bregdetare Përroi i Agait-Plepa-Ura e Dajlanit u konstatua se këta shtetas kishin zënë hapësirën publike duke vendosur shezlongë dhe çadra pa lejen e organeve kompetente. Si rezultat i kontrolleve, gjatë këtyre ditëve janë kontrolluar 160 parcela dhe janë hequr rreth 600 çadra dhe 1300 shezlongë. Operacioni vijon pa probleme.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re