Një zjarr ka përfshirë sot në mesditë një sipërfaqe me barishte të thata dhe ferra në lagjen “30 Vjetori” të qytetit të Beratit, pranë Drejtorisë së Bujqësisë, duke rrezikuar seriozisht zonat përreth.
Sipas informacioneve zyrtare, Forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MSHZ) Berat ndërhynë me shpejtësi në vendngjarje me 2 mjete zjarrfikëse dhe një grup shërbimi. Falë reagimit të shpejtë të zjarrfikësve, flakët u vunë nën kontroll pa shkaktuar dëme materiale apo të lënduar.
Zjarrfikësit dyshojnë se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të raportojnë menjëherë çdo veprim të dyshimtë që mund të çojë në zjarrvënie apo dëmtim të mjedisit.