Seanca e radhës ndaj dy të akuzuarve për ndikim në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016 në Dibër, ish Shefit të Komisariatit të Peshkpisë, Robert Aga dhe ish administratorit të Lurës, Hasan Hoti është shtyrë sërish këtë të Mërkurë. Shkak për këtë u bë pala mbrojtëse e ku avokati Gentian Rumano kishte paraqitur një raport mjekoligjor që e bënte të pamundur pjesmarrjen në seancë.

 

“Çuditërisht” në seancë mungonin edhe dy të akuzuarit, Aga e Hoti, ndaj në sallën e gjyqit ishin të pranishëm vetëm prokurori i çështjes Urim Buci dhe gjyqtarja Netila Kape. Kjo e fundit e pranoi si të justifikueshëm argumentin e palës mbrojtëse për mungesë dhe kërkesën për shtyerje, duke caktuar seancën e radhës për datën 1 Dhjetor të këtij viti.

 

Me datë 3 nëntor, ndaj Hotit dhe Agës u zhvillua seanca e vetme e rregullt në këtë proces që pas nisjes së shqyrtimit të aktakuzës nga gjykata, pas disa shtyerjeve radhazi.

 

Kujtojmë se në dosjen 184 fillimisht pati shumë të akuzuar nga mazhoranca socialiste si të implikuar në ndikim të zgjedhjeve lokale të vitit 2016, por pas një procesi të gjatë, në gjykatë shkuan vetëm katër persona, Ish Shefi i Komisariatit të Dibrës Robert Aga, ish-administratori i Njësisë Administrative Lurë Hasan Hoti, Ish Drejtori i Arsimit Drini Gjeci dhe Ish Administratori i Njësisë Administrative Tomin, Nuri Meda.

 

Çështja ndaj katër të akuzuarve po zhvillohet e ndarë, pasi Nuri Meda e Drini Gjeci kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, ndërsa Hasan Hoti e Robert Aga kanë pranuar gjykimin normal.

Seancat maratonë me shtyerje janë bërë për të dyja gjyqet e kësaj dosjeje. Madje gjyqtari Ardit Kuka i njërës prej çështjeve u përjashtua pasi gjobiti avokatët të cilët mungonin herë pas here pa ndonjë justifikim bindës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re