Në Njësinë Administrative me emrin Lekaj në Rrogozhinë, po bëhet gjithnjë e më shqetësues fenomeni i vjedhjes së banesave. Në këtë njësi banesat janë të rikonstrukturuara ndërsa shumica e vjedhjeve bëhen nëpër objekte që nuk banojnë njerëz.

Këto banesa janë ndërtuar kryesisht nga paratë e emigrantëve që në shumicën e rasteve nuk jetojnë brenda tyre. Telefonatat në sallën operative të policisë javët dhe ditët e fundit kanë qenë të përnatshme, ku banorët e mbetur dhe pronarët e shtëpive denoncojnë rastet.

Kryesisht hajdutët thyejnë bravat apo dritaret duke marrë kryesisht elektroshtëpiake, materiale bujqësore, pompa uji etj.

Për këto raste kanë nisur hetime dhe janë shoqëruar persona të dyshuar, por ende nuk ka asnjë zbardhje për asnjërën prej vjedhjeve. Policia ka dyshime se personat që kryejnë veprime të tilla nuk janë banorë të zonës.

Policia ka shtuar intensitetin e kontrolleve, por pa rezultat, ndërsa ka dyshime por të paprovuara se vjedhësit mund të kenë burimet e tyre të informimit në fshat apo polici. Pozita gjeografike e Njësisë Lekaj i favorizon autorët për shkak se ndodhet në një nyje rrugësh nga ku ata mund të largohen. Për më tepër rrugët janë të pandriçuara dhe mungojnë sistemet e monitorimit me kamera./Fax news 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re