Në politikën e Kosovës ajo që bëri ndryshimin e madh është drejtuesja e iniciativës ”Guxo” dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për Presidente, Vjosa Osmani, e cila është zyrtarisht njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura.

38-vjeçarja që mban pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë besimin e 300 mijë e 788 kosovarëve.

Një rekord të tillë votash Osmani e ka marrë pas përplasjeve konsekuente që ka pasur me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, dhe pas vendimit që përfundimisht t’i ndajë rrugët me partinë ku kishte nisur karrierën e saj politike.

Ndërsa i dyti renditet Glauk Konjufca me 200,641 vota, i treti rendit Arben Vitia me 107,813 vota, të gjithë pjesë e listës së Vetëvendosjes.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, më i votuari është Enver Hoxhaj me 100,518 vota, ndërkohë që të zgjedhurit e tjerë kanë një diferencë të konsiderueshme me kreun e partisë.

Në LDK më i votuari është kryeministri në largim Avdullah Hoti, i cili ka marrë vetëm 69,640 vota, shumë më pak seç pritej. Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka marrë 41,406 vota i ndjekur nga i vëllai i tij Daut Haradinaj.

Në listën e 58 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjashtë kandidatë nga lista e Osmanit kanë fituar mandatin e deputetit.

Donika Gërvalla 71 mijë e 720 vota, Haxhi Avdyli 26 mijë e 630 vota, Faton Peci 25 mijë e 307 vota, Doarsa Kica 10 mijë e 604 vota dhe Jeta Statovci 9 mijë e 410 vota.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re