Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet për vrasjen e 34-vjeçarit Eri Zefi, ngjarje e ndodhur me 2 tetor të vitit 2019-të në fshatin Zall-Xhuxhe të Njesisë Administrative të Fanit në Mirditë.
Në lidhje me këtë krim është dërguar i pandehur Mikel (Gjovalin) Alia dhe ndaj tij është ngritur akuza e “vrasjes së kryer në bashkëpunim”. Referuar dosjes hetimore thuhet se 42-vjeçari ka patur një rol mjaft të rëndësishem në këtë ngjarje, pasi është arritur të provohej përmes pamjeve filmike dhe bisedave telefonike se ai e ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin Eri Zefi, të cilin e kishte patur shok fëmijerie.
Vetë Alia ka mohuar rolin e tij si nxjerrës në pritë, duke thënë se me Zefin ishte duke udhëtuar, dhe mendonte se vrasësit kishin dalë për t’i grabitur. Ai u vetëdorëzua në Polici, pasi u shpall në kërkim mesnjëherë pas vrasjes së Zefit.
“Kam qenë duke udhëtuar me Eri Zefin, por nuk e kam nxjerrë në prite për ta ekzekutuar. Kanë dalë për të na grabitur dhe kanë dashur të më vrasin dhe mua”, u shpreh ai asokohe në dëshminë e dhënë në Polici.
Vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës të 1 tetorit të vitit 2019-të pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës në një kanal 50 metra larg rrugës së kombit, ndërsa ekzekutimi i të riut dyshohet të jetë kryer për hakmarrje, pasi vëllai i tij është i dënuar për vrasje.
(Lexo KËTU historikun e hakmarrjes që çoi në vrasjen e Zefit)
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
