Policia greke arrestoi një 20-vjeçar shqiptar me akuzën e vrasjes dhe djegies së trupit të pronarit të një hoteli të njohur në Santorini.

Bëhet fjalë për 69-vjeçarin Nikos Halaris, për të cilin i riu tha se nuk i kishte dhënë 200 euro nga puna e kryer.

“Unë vij dhe punoj me sezone këtu. Kam nënën dhe tre motra në shtëpi. Me punën që bëj mbaj edhe ato me para.

Nuk më dha 200 eurot që duhej të më paguante prandaj ndodhi gjithçka”, tha i riu shqiptar para policisë sipas mediave greke, ndërsa më tej ai shpjegon se si ndodhi përplasja.

“Shkova t’i kërkoj paratë por ai nuk m’i jepte dhe mori një shishe uiski për të më qëlluar, unë ia mora hishen dhe u përleshëm”, vijon i riu.

Më pas, sipas policisë greke, 20-vjeçari me origjinë nga Shqipëria ka goditur disa herë 69-vjeçarin duke e lënë pa ndjenja në zyrën e tij.

Më pas ka lyer trupin me vodka duke i vënë zjarrin për të zhdukur gjurmët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re