Policia e Shkodrës ka arrestuar një 33-vjeçar të shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.  Personi në fjalë në bashkëpunim me vëllain e vet, shtetasin me inicialet N.K., kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së Gjergj Mhillajt, ku për fat të mirë nuk ka patur dëme në njerëz, por ka ngordhur në vend qeni që ruante banesën. Blutë e Shkodrës vijojnë punën për kapjen e vëllait të tij 28-vjeçar.

Njoftimi i plotë i policisë: Shkodër

Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim

Kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, forcat e posaçme “Shqiponja” në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas lokalizimit të vendndodhjes, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit: A. K., 33 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 15.01.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 08.01.2020, në fshatin Grudë, Shkodër, ku shtetasi A. K. dhe vëllai i tij shtetasi N. K., 28 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese.

Vijon puna për kapjen e shtetasit N. K.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re