Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja në Lushnjë, ku një 57-vjeçar dyshohet se qëlloi për vdekje me automatik bashkëfshatarin e tij dhe i plagosi djalin. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:47, në fshatin Fier i Ri në Lushnje.

‘Balkan Web’ raporton se autori i dyshuar i krimit, Sofokli Shani, pak pas ngjarjes i ka rrëfyer gruas në telefon se kishte vrarë 62-vjeçarin Rako Qorri dhe kishte plagosur Kejdi Qorrin.

Më pas ai ka pritur në banesën e tij që të vinte policia, e cila bëri të mundur edhe arrestimin e tij.

Po ashtu mësohet se Shani ka qenë 15 vite i dënuar para viteve 90 pasi kishte vrarë shokun e tij me thikë. Kujtojmë se ngjarja e mbrëmshme nisi pas një sherri për pije, ku autori kishte kërkuar një gotë raki.

Pasi ishte zënë me djemtë e viktimës, duke u përleshur fizikisht, autori kishte shkuar në banesë dhe kishte marrë prej aty një kallashnikov, dhe ishte kthyer sërish në lokalin e 62-vjeçarit.

Pasi ishte futur nga dera e pasme e lokalit kishte qëlluar në drejtim të Rako Qorrit, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa i kishte plagosur të birin, Kejdi Qorrin, 31 vjeç. Ky i fundit aktualisht është në spital në Tiranë, në gjendje të rëndë për jetën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re