“Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, ky është propozimi zyrtar që sot kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka informuar liderët partiakw dhe presidentin lidhur me ndryshimin e emrit të shtetit.

Zaev, pas takimit që u zhvillua sot në klubin e deputetëve, deklaroi se ky emër është i pranuar për palën e Maqedonisë.

“Ilindeni është e ardhmja jonë. Me këtë marrëveshje e ruajmë dinjitetin dhe identitetin dhe është garanci për shoqëri multietnike. Me këtë emër bëjmë dallimin me rajonin Maqedoni në Greqi. Kryengritja e Ilindenit nuk ka aspirata ndaj asnjë territori. Unë dhe populli im nuk kemi pretendime territoriale. Maqedonia është e gatshme ta vërtetoj këtë në të gjitha mënyrat”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Ai gjithashtu tha se Maqedonisë i duhet një Ilinden i katërt dhe se me arritjen e marrëveshjes po e hapin rrugën për anëtarësim në BE dhe NATO.

“Me marrëveshjen gjuha do të jetë maqedonase, identiteti i garantuar dhe kodet MK do të mbesin.Do të pranojmë përdorim edhe të brendshëm. Do të realizohet me faza, ashtu siç do të përparojmë në rrugën euroatlantike”, shtoi Zaev.

Kryeministri Zaev, tha se i qëndron pas këtij vendimi dhe se mund të zgjatet dora për t’u pranuar.

“Tani është momenti, të gjithë bashkësit etnike që ta shfrytëzojmë këtë mundësi për Maqedoninë”, tha Zaev.

Nga ana tjetër, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski tha se ata për herë të parë në këtë takim e kanë parë propozimin e pranuar nga qeveria për çështjen e emrit. Sipas tij, VMRO mbetet në qëndrimin e tyre se nuk pranojnë ndryshim të Kushtetutës.“Ajo që ishte spekulim dhe që dje Zaev e mohoi doli që është e vërtetë. Zaev dhe ministri i jashtëm Dimitrov kanë pranuar marrëveshje të cilën për herë të parë e dëgjuam. VMRO DPMNE mbetet në qëndrimin se nuk do të pranon ndryshim të Kushtetutës. Për përdorim të përgjithshëm të atij emri që e propozojnë nënkupton ndryshim të kushtetutës, a ajo për ne është e papranueshme. Sot për herë të parë u njoftuam me marrëveshjen dhe i njëjti do të prezantohet para organeve të partisë.”, ka deklaruar Mickoski pas takimit.

Ndërkohë që presidenti i shtetit, Gjorgje Ivanov kërkoi nga Zoran Zaev që të marrë në formë të shkruar gjitha negociatat të cilat Zaev ai i ka zhvilluar me Greqinë, përfshirë këtu edhe propozimin për çështjen e emrit.

“Për herë të parë jemi të informuar për disa punë. Për herë të parë janë thënë me gojë, dhe presim që të gjithë propozimet t’i marrim me dokument të shkruar. Në këtë takim nuk ndërtuam qëndrim por vetëm i morëm informacionet. Pres që në të ardhmen të mos informohemi në mënyrë selektive, por të kemi qasje në atë që po bisedohet”, ka thënë Ivanov.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partisë më të madhe shqiptare në pushtet në krye me Ali Ahmetin i shoqëruar edhe nga deputeti Artan Grubi dhe zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Si duket roli i tyre ka qenë vetëm sipërfaqësor pasiqë asnjëri nga ta nuk është prononcuar para mediumeve pas takimit.

Kujtojmë se propozimi ri për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” vjen vetëm disa ditë pas takimit të dy kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras nga Greqia të mbajtur në Samitin e Sofjes.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re