Udhëheqësit e Francës, Emmanuel Macron, të Gjermanisë, Friedrich Merz, të Britanisë së Madhe, Keir Starmer, të Polonisë, Donald Tusk, si dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, janë mbledhur sot në Tiranë në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, menjëherë pas përfundimit të raundit të parë të bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll.

Gjatë këtij takimi liderët zhvilluan një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, siç lajmëron në X Presidenti i Ukrainës.

“Folëm me Donald Trump së bashku me Presidentin Macron, Kancelarin Federal Merz, Kryeministrat Starmer dhe Tusk. Diskutuam takimin në Stamboll. Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë.

Qëndrimi ynë – nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati t’i japë fund luftës. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, shkruan Zelensky.

Në prag të samitit, Presidenti Zelensky kishte paralajmëruar për nevojën e një “reagimi të fuqishëm” në rast të dështimit të negociatave në Turqi. Ndërkohë, Presidenti francez Macron deklaroi se Rusia nuk ka vullnet për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe theksoi se është i domosdoshëm një “presion i shtuar” ndaj Moskës për ta detyruar të angazhohet seriozisht në procesin e paqes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko