Zgjedhjet e vitit 2021  janë një kufi politik shumë i rëndësishëm për vendin. Një kufi që sjell nevojën normalisht të ndryshimit siҫ sjellin ҫdo zgjedhje, por edhe dilemën se ҫfarë ndryshimi do të sjellin ata.

Në vitin 2013, ndodhi një mobilizim i madh popullor për të ndryshuar qeverisjen e Sali Berishës, e në fund erdhi një qeverisje që përfaqësonte të paktën në gjysmën e saj, simbiozën e politikës së vazhdimësisë, pasi LSI-ja vijoi të ishte në aleancë politike me Rilindjen e Edi Ramës.

Zgjedhjet e vitit 2017 ishin një zgjidhje mes një grupi që tentoi të vijë në pushtet dhe një grupi që luftoi të rrijë në pushtet.

Por në mes, në vitin 2016 u miratua Reforma në Drejtësi, një ndryshim struktural që parashikon një gjykatë të pastruar nga njerëzit e korruptuar, një prokurori të ndarë nga lidhjet e politikës(sa mundet) dhe një institucion të ri siҫ është Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Antikorrupsionit, pra SPAK.

E nisur si një institucion që do të ndjekë zyrtarët e lartë që kanë abuzuar me detyrën gjithë këto vite dhe e mbështetur fort edhe financiarisht nga ana e SHBA-së dhe BE-së, SPAK përbën organin që shqiptarët shpresojnë se do të mbyllë ciklin e pandëshkueshmërisë së politikës shqiptare në 30 vjet.

Në pritje edhe të konstituimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, SPAK ka një sfidë deri në zgjedhjet e vitit 2021, ose të paktën kjo është pritshmëria e shqiptarëve.

Që deri atëherë do të fillojë të hapen letrat e abuzimit 30-vjeҫar, ku të nisë të kuptohet se nuk ka më njeri që mund të vijojë të “mbretërojë” në këtë sistem ku meritat hidhen në kosh, e të fillojë hetimi për klasën politike shqiptare.

Nga ҫdo anë që të vijë. E nëse fillon kjo, atëherë zgjedhjet e 2021, më shumë sesa një zgjedhje alternativash, të cilat në Shqipëri përgjithësisht janë të polarizuara, do të hapët një mundësi për një zgjedhje mes atyre që nuk kanë notuar në llumin e krimit dhe korrupsionit.

Sot në politikën shqiptare, kryesisht në opozitë, po flitet për rikthimin e figurave të vjetra të qeverisjes shumëvjeҫare, ndërkohë që aktualisht opozita përbëhet nga disa prej këtyre figurave.

Opinioni po kërkon një logjikë të re anti-destablishment, e cila do të përkthehet në emra e persona që sjellin qoftë edhe të panjohura, mjafton të mos kenë rezonancën e së shkuarës.

Politika realisht me konfigurimin aktual: PS, PD, LSI e satelitët e tyre nuk po e jep këtë reflektim, madje po shikojmë rikthim e kooptim të shumë emrave që kanë qenë ministra, parlamentarë e qeveritarë, që në këtë jetë i kanë provuar të gjithë privilegjet, pa dhënë një provë shërbimi për komunitetin.

Ndaj ka një pritshmërie për SPAK, që do ta bëjë një diferencë që politika s’po e bën dot.

Po si do të vijë kjo diferencë? Mjafton të krahasohet me shembullin kroat apo rumun, kur nisi hapja e dosjeve të “Peshqve të Mëdhenj”. Menjëherë u provokua një efekt ortek që solli një tronditje të klasës politike. Normalisht s’mund të thuhet pastrim, por gjithsesi atje ku ndodhi u konceptua si një efekt ҫlirimi.

Një efekt që edhe shqiptarët e presin përpara zgjedhjeve të 2021-shit, ku tronditja e shtetit, nën emrin e SPAK të provokojë një mundësi ndryshe për të zgjedhur, ku pandëshkueshmëria të mos kandidojë në listat e deputetëve.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re