Prezenca e OSBE në Tiranë ka publikuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit duke u bërë thirrje autoriteteve shqiptare që t’i vendosin në zbatim.
Gjatë një reagimi në “Facebook”, OSBE ka shprehur hapur mbështetjen e fushatës së ndërmarë nga kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
“I bashkohemi fushatës ndërgjegjësuese të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në raportin e zgjedhjeve të fundit dhe i inkurajojmë autoritetet shqiptare t’i vënë ato në zbatim”
Ambasadorja Kim, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Europian Soreca, u takuan me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së, Soreca zbulon dy temat kryesore të diskutimit, teksa shprehet se Celibashi i ka informuar ambasadorët mbi vlerësimin përfundimtar të KQZ-së për procesin zgjedhor të 25 prillit, si dhe për planin e ardhshëm të KQZ-së në funksion të zgjedhjeve të ardhshme.
“Bisedë e mirë sot me Kryetarin e KQZ-së Ilirjan Celibashi dhe me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Yuri Kim. Kryetari na informoi mbi (1) vlerësimin përfundimtar të KQZ-së për procesin zgjedhor të 25 prillit, përfshirë çështjen e rëndësishme të identifikimit biometrik, dhe (2) për planin e ardhshëm të KQZ-së në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Është e rëndësishme të adresohen rekomandimet e OSBE ODIHR shumë përpara kohe. Të gjitha rekomandimet e ODIHR-it duhet të ndiqen nga të gjithë aktorët shqiptarë përgjegjës në kuadrin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse. Parregullsitë dhe pretendimet në lidhje me zgjedhjet e fundit duhet të hetohen tërësisht nga autoritetet kompetente, siç theksohet në Raportin 2021 të Komisionit Evropian për Shqipërinë BE do të vazhdojë të sigurojë mbështetjen e nevojshme për KQZ-në në funksionet e saj thelbësore”, thekson ambasadori Soreca pas takimit.
Vlen të theksojmë që gjatë ditës së sotme, Celibashi publikoi rekomandimin e 23-të dhe të fundit të raportit të ODIHR, ndërsa shkruante se: “𝗥𝗲𝗸𝗼𝗺𝗮𝗻𝗱𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝟮𝟯-të dhe i fundit i Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet e 25 Prillit 2021 në Shqipëri! Koha për t’i përmbushur ka filluar!”
…
/faxweb
