Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka dalë në një deklaratë për mediat duke dënuar rëndë zgjerimin e Greqisë me 12 milje në hapësirën detare shqiptare.

Vasili ka thënë se mungesa e transparencës me popullin është dhe mungesa e reagimeve nga ana e kryeministrit është interes i qëllimshëm për të shitur interesat e vendit.

“Për çfarë do të shkojnë në gjykatë ndërkombëtare? Në çfarë? Ku janë mungesat e dakordësive? Nga çfarë ka frikë që të jetë transparent me shqiptarët?

Kufijtë e Shqipërisë nuk janë pronë e këtij banditi. Do të jenë aty edhe kur të iki ky, por ky nuk do të harrohet si tradhtar.

Këto përgjigje të sakta dhe të prera presin shqiptarët. Nuk duan më idiotësira dhe nuk duan më të dëgjojnë avokatinë e fqinjëve në kurriz të tyre. Shqiptarët duan avokatinë e Shqipërisë.

Përse në 30 vjet vetëm këtë herë me këtë kryeministër u guxua të merret një vendim i tillë?

Cilat qenë premtimet, zemërhapja në gushtin e këtij viti? Kur ne si opozitë dhe qytetarët ngritëm alarmin për këtë që do të ndodhte. A e lëvizi gishtin? A kërkoi mbledhjen e forumeve?

A u këshillua me partnerët ndërkombëtarë për qëndrimin? Zero! Pasivitet i qëllimshëm për të shitur interesat e Shqipërisë. Kjo e ka emrin tradhti deri në tradhti të lartë.

Kësaj nuk i shpëtohet me lloqe pazari, me dëngla portokallie dhe as me estrada fshati, ky kryeministër që Shqipërinë e ka vetëm plaçkë tregu.

Do të mbahet mend si kryepazarxhiu i Shqipërisë, sepse pozicionin e kryegënjeshtarit e ka përvetësuar,”-deklaroi Vasili.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re