Detaje të reja po dalin në dritë për zhdukjen e Davide Pecorellit.

Dëshmia e personit që njoftoi policinë pasi konstatoi makinën e djegur në vendin e njohur si “Kodra e bardhë” në aksin Fushë-Arrëz-Gjegjan-Mirditë është marrë nga ‘News 24’.

Pal Curaku ka treguar se kur ai ishte në vendin e ngjarjes makina kishte pësuar djegie totale, ndërsa 30 minuta pas njoftimit ka mbërritur policia e Pukës.

Ai bën të ditur se nuk ka ndjerë erën e një personi që digjet teksa makina ishte në flakë.

“Kam parë mjetin që po digjej, i telefonova Policisë se mund të ishte kush brenda.

Më ka dalë policia e Rrëshenit, ata janë lidhur më pas me policinë e Pukës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes për rreth 30 minuta.

Sa kam qëndruar këtu nuk kam ndjerë erë të veçantë, veç erës së gomave të mjetit që digjej”, deklaroi dëshmitari.

Hetimet për ngjarjen vijojnë si nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare.

Prokuroria e Pukës ende nuk ka në dorë të dhënat e celularit që u gjet në makinën e Pekorelit, ndërsa vetë hetuesit shqiptar, por dhe ata italianë tashmë janë të dyzuar mes një vdekje aksidentale, asaj të paramenduar me qëllime të caktuara, apo një tentative për humbje gjurmësh nga ana e biznesmenit për qëllime të caktuara, një prej të cilave dhe ajo për përfitimin të siguracionit të jetës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re