Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i tha Zërit të Amerikës se pala serbe nuk është e interesuar të vazhdojë me seriozitet procesin e bisedimeve në Bruksel dhe kjo sipas tij, është pasqyrim i ngecjeve në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Bislimi i cili drejton grupin negociator të Kosovës në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha se në takimin e një dite më parë në Bruksel është diskutuar vetëm për personat e zhdukur dhe ka pasur shumë pak përparim për të arsyetuar një takim të radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Përshtypja ime është se në konstelacionin aktual, pala serbe nuk ka interes që të vazhdoj me seriozitet në procesin e dialogut për arsye se ngecja evidente në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian e ka ulur koston edhe për Serbinë të konstruktivitetit në dialog, rrjedhimisht i ka lënë komoditetin zotit (Aleksandër) Vuçiç që të merret me problemet tjera të regjionit.

Jeni dëshmitar të përfshirjes së tij dhe të Kishës Ortodokse Serbe në trazirat në Malin e Zi, iniciativa e tij që i vendoset si oponencë proceseve regjionale të orientuara nga BE-ja siç është ideja e mini Shengenit apo Ballkanit të Hapur ku ai paskrupullt po e shfrytëzon pakënaqësinë e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me mos hapjen e negociatave dhe po mundohet që me procese alternative t’i krijojë konkurrencë Bashkimit Evropian”, tha zoti Bislimi.

Zoti Bislimi thotë se aktualisht me palën serbe ka vetëm një dakordim, që çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet me përparësi.

Por, delegacioni i Kosovës e ka shpallur si person të papranueshëm kryetarin e Komisionit për Persona të Zhdukur në qeverinë e Serbisë, Velko Odalloviç, i cili është pjesë e delegacionit serb për bisedime me Kosovën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re