Todi Sotira nuk ishte as i pari dhe as i fundit mes rrënimit dhe hakmarrjes komuniste pse dinte shumë gjuhë të huaja, ishte i pasionuar pas historirë dhe kontribuoi për bibliotekën dhe muzeun e qytetit të Beratit.

Simon Vrusho, studiues i pasionuar i Beratit ka sjell pak nga jeta e Todi Sotirës, që e ka takuar personalisht dhe kujton zhgënjimin që kishte pësuar ciceroni beratas nga një sistem totalitar.

“Todi Sotira lindi në vitin 1924. Njihet edhe me mbiemrin Llavda që mendohet se i përket fisit që ka nxjerrë kampionin e Formula 1, Niki Lauda. Todi ka vazhduar liceun e Korçës. Duke filluar nga viti 1945 punoi për ngritjen e bibliotekës së qytetit të Beratit duke e drejtuar atë. Zotëronte shumë gjuhë të huaja perëndimore dhe e fliste shqipen me një theks komzmopolit.

Todi Sotira ngriti muzeun e Beratit me një përkushtim e pasion të rrallë si drejtor dhe ciceron. Për kohën konsiderohej më i miri në Shqipëri. Por shkëlqimi i tij nuk u prit mirë nga regjimi dhe i tregoi burgun. Pas burgut e vetmja rrugë punësimi për të ishte mirëmbajtja e rrugëve malore me kazmë e lopatë në krahë.

E kam njohur e takuar Todi Sotirën aty nga fillimi i viteve ’80 tek një kafene pranë Urës së Goricës, kur sa ishte pensionuar me mjerim, me një vetmi që e shuante dhe e turbullonte me verë të hollë e të lirë molle…
-Pse u katandisa kështu?
-Nuk ta kam bërë këtë pyetje, – i thashë.
-Nuk ka gjë. Përgjigjem unë, përgjigjem vetë… Kam qenë i bardhë fare, ashtu si e bardha e fillimit të botës, të universit, se në fillim fare vetëm ngjyra e bardhë ishte, pastaj erdhën të tjerat.  Bota në fillim ka pasur bojë të bardhë. Pastaj filloi të nxihej.  Edhe unë, edhe jeta ime… Për çfarë të rroj? Shokët e moshës m’u vranë: Kristaq Tutulani, Ajet Xhindole, Margarita Tutulani… Dhe kur të vriten shokët e moshës, të humb kuptimin jeta…”

Një nga të paktët shokë, miq,Todi ka pasur dhe Moisi Baballëkun, këtë aktor fin, që kur do të shkëlqente, do t’i jepnin kazmën që e çonte në ullishte… Provinca nuk u ha talenteve vetëm mishin, por u bluan edhe kockat…

Todi Sotira ka lënë shënime, ditare, përkthime, studime, krijime, të gjitha të humbura… Është ruajtur një poemë për legjendën e Kalasë së Beratit…

Tod Sotira e jep në 200 vargje legjendën e Kalasë së Beratit, në një version të tijin, të lirë, shkruar më 1968.

Gjen aty gjëmn’ e blertë/ Kur nga gusha e Kështjellës/ Bie smeraldi i pranverës… Dhe dy male me kurorë bore… Bastune akulli… Tomori fytyrëshpatëz.. Ingjire thëthitës…

Dhe:

Dhe lind Lindja me Tomorin/ Perëndimi me Shpiragun/ Dhe në mes hapet Berati/ Si amfitetër i madh…

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re