Edhe pse iu qas pushtetit me eufemizmin Rilindje, Shqipëria nën Edi Ramën ka qenë dhe vijon të jetë shumë larg asaj ndjesie që përçon shenja të një rilindjeje. Duke patur si indikatorë një valë të paprecedent emigrimi, e po ashtu lëvizjeje të brendshme demografike me dyndje drejt Tiranës, bashkangjitur një lindshmërie të ulët, qeverisja e Ramës ofron një tablo gri të realitetit shqiptar, edhe pse me rivitalizime urbane për t’u përshëndetur, siç ka ndodhur me shumë qendra qytetesh. Por siç është vërtetuar gjithashtu në terren, impakti i tyre vizual nuk ka dhënë rezultatet e pritshme në dinamizimin ekonomik e social. Ato pothuajse kanë mbetur “të vetmuara” në këndshmërinë e tyre, pa u trupëzuar në ndjesi njerëzore.

Qytetet shqiptare, si pasojë e një bjerrjeje kulturore e sociale, ku ekonomia e rënë e dhjetëvjeçarit të fundit ka qenë impaktive, e kanë humbur pothuajse të gjithë kuptimin e tyre. Ato janë shndërruar në rezervate ekzistence, por jo jete në kuptimin më human të fjalës. Asnjë qeveri, as kjo e Ramës, sikur nuk po e kuptojnë se afro çerek shekulli nga rënia e komunizmit, gjysma e Shqipërisë ka rënë në kontekst ekonomiko-social në kushtet e një rendi të ri tregu. Një pjesë qytetesh nuk e dijnë pse ekzistojnë, pasi prej drejtuesish tuhafë ndër vite, nuk kanë mundur të rimodelohen në kushte të një sistemi të ri, për t’ju përshtatur një tregu të ri.

E sot Shqipëria, padyshim që gjendet në kohën e saj më të vështirë që prej rënies së komunizmit. Me qytete më të rregulluara, me rrugë më të shtruara e po ashtu me ca të reja, me distanca më të shkurtuara e me një komoditet material shumë më të avancuar në raport me varfërinë e dikurshme, shoqëria shqiptare po jeton nën shock-un e një humbjeje shprese dhe psikoze fataliteti, duke ia ndrydhur energjitë krijuese e investuese, për t’ja kanalizuar ato vetëm te prirja për të ikur. Dhe e gjitha kjo pra, nën Rilindjen e Ramës, gjithsesi shumë më tepër me prirje reformiste se çdo kryeministër tjetër dhe me një ligjërim shumë më bindës rreth kredos së tij për ta parë një Shqipëri të rilindur. Ironia thellohet akoma më tej kur kujton se vitet më “të arta” shqiptare nën tranzicion, janë ato që u përkasin Nanos e Berishës, që thellë-thellë, janë gatuesit kryesorë të kësaj derexheje ku ka mbërritur sot Shqipëria, ku nuk i gjendet asnjë aspekt, asnjë sektor, as një drejtim mbi të cilin është investuar me një ide, një reformë, me një projekt, për të ofruar më pas një model pozitiv.

Shqipëria mund të ketë shumë suksese individuale – ku një prej tyre është hambari natyror i mandarinave të Dhimo Kotes në cepin më jugor të vendit – por nuk ofron asnjë model suksesi me burim shtetin, njerëzit e saj. Dhe ajo që ndodh tani është se kjo majisje problematikash në vite, vjen dhe i mbetet në derë Edi Ramës. Dhe në një gjykimin kolektiv, çdo mynxyrë e sotme, lidhet me emrin e tij. Edhe pse e padrejtë, psikologjikisht është e pashmangshme. Dhe siç dihet, në suksesin e diçkaje, duhet të ketë një përputhje mes kohës dhe individit: për të bërë gjënë e duhur, me formën e duhur, në kohën e duhur. Një prej këtyre komponentëve po të çedojë, suksesi vështirë të arrihet.

Në një dialog mes Safa Ymerit dhe së shoqes te “Malet me blerim mbuluar”, kur kjo e fundit iu ankua për fundin e padenjë të dasmës së djalit, Birçes që iu bashkua partizanëve, me nusen që e priste në shtrat e me të ftuar që u larguan nën sherr, Safaja ia la kohës. “Eshtë koha e keqe…”, u justifikua ai. Ndaj, në gjykimin e qeverisjes së Ramës, në duhet të ndajmë kohën kur ai qeveris me aftësinë e tij qeverisëse. Rama erdhi në pushtet me dy dizavantazhe: rënien ekonomike dhe shpërthimin e rrjeteve sociale. Këto të fundit, mund të konsiderohen si shkaktaret kryesore të një gjendje pezmatike në Shqipëri. Nën një informacion të dalë jashtë kontrollit, si armë në duart e gjithëkujt, është ofruar virtualisht një realitet që në fakt ka qenë, por që është nxirrë akoma dhe më shumë prej një prirjeje kolektive, në fakt si trajtë e një sëmundjeje kolektive, për të shfryrë mbi gjithçka e për gjithçka. Kjo ka bërë që ca probleme shqiptare të tranzicionit, nga ato më klasiket e të zakonshmet, të duken sikur shfaqen për herë të parë me ardhjen e Rilindjes.

Ditë më parë, ministri Xhafaj ofroi një tregues statistikor krahasues mes tij dhe Bashës nën drejtimin e Ministrisë së Rendit. Diferenca që tejet e thellë në favor të të parit, e ndërkohë, në realitet mbisundon perceptimi i krimit që po bën namin. Ndërsa shifrat as që u vunë në diskutim.

Ngjashëm dhe me drogën. Lazarati përjetohej si normalitet prej më shumë se 15 vitesh, e ndërkohë që nuk ishte i vetmi, pasi thjesht aty ishte përqëndruar vëmendja, dhe sapo u shfaqen parcelat e reja post-Lazarat, që sigurisht e implikonin shtetin, siç në fakt ka qenë i implikuar në çdo kohë, nën Nano e Berishë, ishte Rilindja ajo që e morri vulën turpit të çdo epoke.

Të kalojmë tek prania e krimin në parlament apo në administratë. Edhe në këto raste, nuk është se nuk kanë ekzistuar. Ishte thjesht një kontekst i ri politik që bëri të gërvishtej mbi këto dy realitete. Përshembull, Tom Doshi vizatohet sot si element me theks kriminal në parlament, tek e fundit mik me Mark Frrokun, por ai ka aty prej në vitin 2001 dhe askush nuk është kujtuar ndër vite për ta parë me këtë sy.

Le të sjellim dhe një shembull tjetër: portretet e Enverit në ceremoni përkujtimore. Aty kanë qenë, në çdo kohë. Në PS-në a PD-në në pushtet, veteranët e kanë kryer ritualin e tyre dhe akush nuk është marrë me ta. Por, në një kontekst të ri dhe me ndihmën e rrjeteve sociale, patjetër dhe me strategjinë e re të opozitës për të gjetur qimen në qullin e mazhorancës, dikush u kujtua për ta dhe sot na duken si produkt Rilindjeje.

Si këto shembuj janë bandat, gjendja në spitale e kudo. A ka ndonjë kohë në vitet e tranzicionit për të cilën dikush mund të thotë se këto nuk ekzistonin? Mjaft të kujtohen lajmet e mediave të para 15 viteve e më tepër, për të kuptar se realiteti ka qenë po kaq i zi dhe atëherë.

Faktor tjetër që e shfaq Rilindjen në një dritë dështimi e plot probleme si qeverisje, është ai ekonomik. Kjo është koha më e keqe për të qeverisur, kur është fjala për një popull që xhepin e ka përcaktues në humor. Shqipëria nën tranzicion është mbajtur nga këto burime paraje duke qenë vend konsumator e jo prodhues: remitancat e emigrantëve, ku në jug veçojnë dhe pensionet e grekut, droga pa dyshim, pastrimi i parave, privatizimet e mëdha. Nga këto, asnjëra sot nuk ka më potencën e dikurshme, e disa janë shuar totalisht si burime. Ramës i takon tashmë ta krijojë burime të tjera ekonomike, gjë që nuk është aq e lehtë në një treg që diktohet prej interesave gjeopolitike. Lufta që kanë patur dy investimet më të bujshme deri më tani, Air Albania dhe Areoporti i Vlorës – ky i fundit sulmuar do kohë dhe nga përtej oqeanit nëpërmjet VOA-s, janë shembuj kuptimplotë.

Dhe me pak para në xhep, përballë një qeverisje që tenton formalizimin e ekonomisë, e padyshim me ushtri rrjepsash në administratë, ku veçojnë ato në taksa e tatime, shtoju këtyre një ligjërim politik të rënduar me terminologji delikuencë, shtoju dhe shfryrjet në rrjete, nuk ka se si të gjendesh nën një ambient të shëndetshëm.

Më pas vjen cilësia njerëzore. Në 20 vjet, Shqipëria u mbajt me resurset njerëzore të komunizmit në sektorët e saj. Ishte brezi i viteve ’80 që ofroi produktin e një formimi shkollor cilësor në disa drejtime. Tashmë ne po marrin frytet e pas ’90, ku dihet se ç’cilësi ofron, kur është fjala për formim në arsimin vendas. Kriza e sotme, është dhe krizë e burimeve njerëzore. Shteti shqiptar ka një ushtri rrogëmarrësish, por aspak misionarësh. Kjo në rastin më të mirë, pa llogaritur paaftësinë në ushtrimin e një pune, si dhe korruptimin moral.

Të gjitha këtyre u shtohet një krizë e trashëguar pothuajse në çdo sektor. Nuk ka një sosh, për të cilin paraardhësit e Ramës kanë ndërmarrë një reformë të thellë, e cila sot do jepte rezultat deri në pikën e mosndërhyrjes. Mjaft fakti që në krizë u lanë dhe dy sektorët strategjike, ato që mbajnë shtetin në këmbë, pasi me logjikë të thjeshtë ekonomike janë vetëm fitimprurëse: sistemi energjitik dhe ai i furnizimit me ujë – ndryshe ujësjellësat.

Pra, Ramës i ka rënë për hise që të qeverisë në mbushkupën e çdo gjejë. Gjithsesi kjo nuk e justifikon. Ai ka patur mundësi që së paku të japë shenjat e një Rilindjeje, prej atyre që ngjisin në masë, sa për të mbajtur gjallë një vegim shprese, duke qenë i ndjeshëm më së pari në cilësinë e njerëzve që zgjedh për të përfaqsuar pushtetin, qeverisjen. Këtu është rasti për t’i kujtuar se Rrahman Rraja vërtet mund të jetë burrë i mirë, por fakti i të paturit të një djali horr i hap shumë telashe në përceptim publik. Por dhe kjo për fatin e keq të rrjeteve sociale.

Por si ndodhi pra që Berisha e Nano, përsa qeverisën, të përjetoheshin krejt ndryshe, me njëfarë entuziazmi shoqëror, paçka shumë problemeve, edhe me personalitetin e tyre, ku sigurisht veçon Berisha? Sekreti është te paraja dhe koha që e solli, më shumë se ata më aftësinë e tyre. Në qeverisjen 1992 – 1996, hyrja e pashmangshme e Shqipërisë në tregun e lirë, pavarësisht se kush ishte në pushtet, hapi portat e të ardhurave nga zgjerimi i konsumit, ndihmuar nga remitancat e para të emigratëve, atyre të ambasadave dhe të porteve. Nën një atmosferë mbrothësie ekonomike, me një përmbushje materiale fantastike brenda një kohe të shkurtër, Sali Berisha dukej një lider i vëtetë, një burrë zotni – kur në fakt nuk kishte ndonjë meritë të veçantë personale, thjesht po vepronte koha, konteksti. Por sapo paratë firuan nga firmat piramidale, ai u shndërrua brenda natës në një burrë të poshtër, deri dhe autokrat politik, për ata që thjesht u kishin fluturuar paratë dhe vetëm kaq.

Vjen Fatos Nano, i cili edhe pse e merr Shqipërinë në kushte të rënda rënie të shtetit dhe nevojë për rithemelimin e tij, arriti ta riaktivizonte një entuziazëm social nën efektin e parasë së shtuar në treg. Si? Remitancat në rritje, privatizime të fuqishme, rritje kredidhënijeje, informalitet i vetëdijshëm, si dhe një mbyllje syri në investimin e parasë së pisët – shih segmentin nga Ura e Dajlanit deri te Mali i Robit me një katrahurë ndërtimesh, si fotoja më përfaqsuese e qeverisjes së tij. Rezultati në xhepa: 7 përqind rritje ekonomike, paradoksalisht në një vend pa ekonomi të strukturuar me burime të shëndetshme. Në këtë situatë, ia beh sërish Berisha që e gjen vërtet fushë me lule. Kështu, për të dytën herë, e ndih fati që të qeveriste me para të madhe në treg, derisa trokiti kriza globale e cila e gjeti gafil, jo vetëm atë si pushtet por të gjithë ekonominë, ku paraja ishte hedhur në investime jokohorente. Nis rënia e remitancave, mbyllen pensionet e grekut dhe zgjidhja gjendet sërish te privatizimet duke nxjerrë në shitje katër hidrocentrale; pra preket sektori strategjik. Sigurisht, Lazarati vijonte punën me kapacitet të plotë.

Dhe ja ku jemi sot me Ramën, që sa mund të ketë mëkate reale, ka dhe po aq virtuale. Ha diskutim fakti nëse ai është njeriu i duhur apo jo, nëse po bën gjënë e duhur apo jo, por nuk ha hiç diskutim se i ka takuar të qeverisë në kohën më të paduhur, që sigurisht nuk është për faj të tij. Siç nuk qe për faj të Berishës, kriza ekonomike në fundpushtetin e tij. Koha e gabuar që ndikon në perceptimin e një njeriu të gabuar, nuk është diçka e re në historinë njerëzore. Mjaft t’i qasesh shembujve në futboll, lojën me afër filozofisë njerëzore, bukurisë dhe paradoksit të saj. Sa e sa emra të mëdhenj, dështuan të jenë histori suksesi pasi qëlluan në kohën e gabuar, me ekipin e gabuar, të vënë në pozicionin e gabuar. /tesheshi.com/                

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re