Osumi përmbyt toka bujqësore dhe banesa në fshatin Moravë dhe në lagjen “Dafinat” në bashkinë e Urës Vajgurore. Dhe pse vazhdon të kërcënojë seriozisht daljen nga shtrati në qytetin e Beratit lumi Osum, duke bërë që të gjithë të ngelen me sytë nga qielli, në fshatin Moravë, të njësisë administrative Otllak dhe në lagjen “Dafinat” në bashkinë e Urës Vajgurore lumi ka përmbytur banesa dhe toka bujqësore.

Deri mesditën e sotme në fshatin Moravë uji ka përmbytur totalisht katër banesa, duke dëmtuar të gjitha orenditë shtëpiake. Po në këtë fshat dhjetë banesa janë përmbytur në katet e para, gjë që u ka dhënë mundësinë banorëve që të shpëtojnë kafshët shtëpiake dhe bagëtitë, prodhimet e tyre të stinës. Në këtë fshat shumë toka bujqësore tashmë janë nën ujë.

Nga ana tjetër vërshimi i lumit Osum nuk ka lënë pa prekur edhe këtë herë lagjen “Dafinat” në bashkinë e Urës Vajgurore, ku për shkak të nivelit të ulët banesat e para të kësaj lagje përmbyten sa herë ka reshje shiu me intensitet të lartë. Katër banesa në lagjen “Dafinat” tashmë janë nën ujë dhe banorët po mundohen që të shpëtojnë çfarë të munden, ndërkohë që ende nuk janë tharë dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytja e muajit Dhjetor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re