Protesta studentore ka marrë një kahje tjetër orët e pasdites, pasi ndryshe nga ditët e tjera ka patur një acarim mes tyre dhe policisë. Kjo e fundit, në gati dy javë protesta, pothuajse ka qenë periferike, edhe për shkak të kujdesit studentor për të mos shkuar drejt incidenteve. Por një përpjekje për t’i bërë një rrethim njerëzor, ka sjellë reagimin e policisë.

Situata është tensionuar gjithashtu dhe nga një përplasje mes studentëve dhe qytetarëve, pasi këta të fundit janë irrituar nga bllokimi i rrugëve. Kjo ka bërë që Rama të shkruajë në rrjete:  “A mund t’ju pyes juve që ju mësojnë Doktorresha dhe Artisti të bllokoni rrugët e qytetit e dyert e fakulteteve, ndërkohë që mbani bllokuar rrugën e Dialogut, duke iu hedhur në fyt me sharje e akuza atyre që duan Dialog: Po çfarë borxhi ju kanë juve qytetarët e studentët e tjerë”, shkruan Rama.

Por studentët kanë thënë se nuk duan dhunë dhe se nuk e ushqejnë atë. Dhe në fakt, deri më tani sjellja e studentëve në këtë pikë ka qenë shëmbullore. Këmbëngulja e tyre ka qenë brenda një etike që nuk ka lejuar agravim të situatës. Por tashmë ka një tension të rritur dhe kjo po reflektohet tek përpjekja e turmës studentore për të bllokuar disa akse të kryeqytetit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re