Fax News është rikthyer sërish sot në vendin ku ndodhi atentati me 1 viktimë dhe 4 të plagosur në zonën e Dn Boskos. Lokali ku ndodhi vrasja është i mbyllur, ndërkohë që banorët e zonës shprehen të tronditur nga ajo që ka ndodhur.

Burime bëjnë me dije për Fax News se dy prej të plagosurve që kanë dhënë dëshminë e tyre përpara grupit hetimor, nuk kanë dhënë indicie që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve.

Arben Dani dhe Azbi Selimaj, dy prej të plagosurve që janë në gjendje më të mirë shëndetësore kanë thënë se nuk kanë mundur që të shohin personin/ personat që i kanë qëlluar, teksa kanë qenë brenda lokalit.

Azbi Selimaj u raportua si kamarier në lokalin ku ndodhi vrasja, por jashtë kameras, të afërm të pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja i thanë Fax News se 19 vjeçari i mbetur i plagosur, rezulton i njohur i shënjestrave, por me profesion kamarier në një bar kafe tjetër në zonë.

Sa i takon dinamikës së ngjarjes, burimet bëjnë me dije se objektiv i atentatit dyshohet se ka qenë Edmond Crroj, 41-vjeçari me precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve, i cili ishte në tavolinë së bashku me dy nipërit e tij, Erion dhe Blerim Çela. I pari mbeti viktimë, ndërkohë që i dyti ka marrë dy plumba dhe i është nënshtruar ndërhyrjes në spitalin e Traumës.

Vetë Crroj po ashtu ndodhet në gjendje delikate, për shkak të plumbit që ka marrë në zonën e barkut. Dyshohet se autorët kanë vëzhguar për disa kohë lëvizjet e tij, dhe më pas e kanë qëlluar, pavarësisht se plumbat rrezikonin dhe jetën e personave të tjerë brenda lokalit.

10-15 herë dyshohet të jetë qëlluar në drejtim të shënjestrave të atentatit.

Autorët kanë lëvizur me një benz të zi, targat e të cilit rezultojnë të vjedhura në qytetin e Vore disa kohë më parë. Edhe pse vendi ku ndodhi vrasja ndodhet pak metra larg spitalit të Traumës, dëshmitarë thanë se ambulanca u vonua shumë që të mbërrinte te lokali, ku dergjej në krahët e gruas shtatzënë 35 -vjeçari Erion Çela, i cili më pas ndërroi edhe jetë.

Policia derimë tani nuk ka të dhëna shumë premtuese që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që asnjë prej personave të përfshirë nuk ka rekorde të theksuara kriminale, me përjashtim të Crrojt i cili është dënuar për drogë jashtë vendit.

Atentati i djeshëm është një nga më të rëndët që ka ndodhur muajt e fundit, pasi lokali ka qenë mjaft i frekuentuar, dhe numri i personave të plagosur mund të ishte dhe më i madh, pasi është qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Në vendin e ngjarjes policia nuk ka gjetur gëzhoja, dhe për këtë vlen të përmendet fakti se atentati ka qenë i mirëmenduar dhe i vënë në zbatim nga profesionistë, të cilët kanë qëlluar nga brenda mjetit mercedez, duke shmangur rënien e gëzhoja jashtë tij.

Shenjestrat e atentatit dyshohet të jenë mbajtur në vëzhgim nga persona të jashtëm, pasi autorët që kanë ardhur me mercedesin me xhama të errët dhe praktika që kanë ndjekur, e kanë patur shumë të qartë vendndodhjen e shënjestrës, rrugët që do ndiqnin./Faxweb.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re