Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po diskuton me gazetarët të cilët mbulojnë sektorin e Shëndetësisë ne vend, për problemet që has sot sistemi shëndetësor.
Basha u shpreh se nuk ka informacion në lidhje me atë që ndodh në spitale, ndërkohë që shtoi se gazetarët janë i vetmi burim informacion.
Gazetari Erion Skëndaj u shpreh se për 15 pacientë të infektuar me Covid-19 punon vetëm një infermier, duke theksuar se dy spitalet Covid-19 kanë protokolle të ndryshme trajtimi nga njëri-tjetri.
Ndërkohë që një nga gazetaret theksoi se një person që ndërroi jetë sot në Infektiv, ishte mjekuar një ditë më parë në ambulancë.
Basha: As unë dhe as përfaqësues të opozitës nuk kanë akses në atë që ndodh në spitale. Ju jeni burimi i vetëm i informacionit rreth asaj që po ndodh në spitalet COVID.
Gazetari Erjon Skëndaj: Situata ka ardhur duke u rënduar dhe informacioni duke u censuruar. E drejta e të bërit pyetje është censuruar plotësisht. Ministria nuk ka përgënjeshtruar asnjë nga lajmet e përhapura rreth asaj që ndodh brenda spitaleve COVID. 1 infermier për 15 të shtruar në spitalet COVID. Dy spitalet protokolle të ndryshme trajtimi nga njëri-tjetri. Mjekët e familjes po përdorin një protokoll të gabuar. Detyrimi i maskës kur ne jemi masivisht të infektuar, masë e kotë. Qeveria siç duket ka zgjedhur imunizimin e tufës si strategji menaxhimi.
Gazetarja Dea Dervishi: Kostoja e trajtimit të një të sëmuri në kushte shtëpie shkon rreth 900 mijë lekë , redemsiviri shitet nën dorë në tregun e zi. Të sëmurët presin deri në 6 orë në ambulanca në pritje para spitalit.
Anxhela Celibashi: Pacienti që ndërroi jetë sot priti dje 3 orë në ambulancë dje. Kapacitetet te Infektivi janë të shteruara.
Gazetarja e Fax News, Fjona Çela e cila bëri publik rastin e Lutfi Çakirit i cili ndërroi jetë dyerve të spitalit, tha se ka shumë raste të tilla.
“Ka qindra raste si ai i Lutfi Çekirit. Shërbimet e tjera në QSUT në kaos të plotë.”- tha Çela.
(M.Q/Faxweb.al)
/faxweb
