2 persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundejt një fitimi prej 1 mijë eurosh.

Bëhet fjalë për 57 emigrantë të vendeve të lindjes.

Policia njofton se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. L., 36 vjeç; E. D., 28 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. O., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Pogradecit, kanë kapur mjetin kamion tip “Iveco”, në pronësi të shtetasit A. O., me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit u konstatuan 57 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezulton se, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale ishte edhe shtetasi E. D., i cili kryente kontrollin e rrugës, me mjetin tip “Benz”.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re