“1 Qershori” mblodhi në pedonalen e qytetit të Beratit qindra fëmijë të çdo moshe, që të shoqëruar nga prindër e familjarë shijuan mbrëmjen festive të organizuar nga bashkia e qytetit. Për rreth 2 orë fëmijët u argëtuan me këngë, valle e shfaqe me kukulla, të përgatitura me aq mjeshtëri nga Qendra Kulturore e qytetit dhe aktorët e trupës së Teatrit të Kukullave.

Pjesë e kësaj mbrëmje festive ishin edhe animatorët që të veshur si klounë, por edhe si personazhe filmash vizatimor argëtuan fëmijët. Këngët për fëmijë dhe vallet e interpretuara nga vetë fëmijët, të veshur me kostume popullore, ndezën flakë atmosferën e mbrëmjes së sotme në qendrën e qytetit.

Përveç këngëve, valleve dhe shfaqjeve teatrale, përgjatë pedonales së qytetit, banorët mundën të shijonin edhe një ekspozitë me piktura nga lagjet muzeale si dhe një panair me punimeve artizanale.