Pesë persona kanë rënë në pranga dhe një është shpallur në kërkim të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore.

Në disa raste, i dyshuari kryesor Renato Nasto ka përfituar deri në 10 mijë euro për vizën amerikane.

“Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë Speciale të njohur si “Joint Shield”, në bashkepunim të ngushtë me partnerët e Departamentit të Shtetit, Agjencinë Federale të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike, Njësinë e Hetimeve Kriminale, me prezencë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Tiranë dhe me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë përmbyllur fazën e parë të operacionit “THE ROGUE SON”, lidhur me hetimet për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në vijim të këtyre hetimeve, më datë 08.02.2024, janë arrestuar dhe vënë në ekzekutim 5 vendime gjykate për masat e sigurimit personal “Arrest në burg”, për gjashtë shtetas, R. N., K. P., K. K., K. L. dhe Xh. S., si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar si të përfshirë në skema mashtrimi të aplikimeve dhe marrjeve të vizave amerikane, me dyshimin e dhënies ndihmë për kontrabandim të qenieve njerëzore. Në disa raste i dyshuari kryesor R. N. ka përfituar shuma prej 10 000 eurosh për premtimin dhe garantimin e lëshimit të vizave amerikane, për persona të ndryshëm, duke lehtësuar emigrimin e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, disa nga të dyshuarit kanë përdorur/paraqitur informacione dhe formularë me të dhëna të rreme, me qëllim për t’u kualifikuar për kategori të caktuara vizash amerikane”, njofton policia. /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re