Policia e Fierit ka ndaluar dy mjekët e denoncuar mbrëmjen e kaluar në emisionin investigative “Stop”, se merrnin para nga qytetarët.

Sipas policisë, dy mjekët e Spitalit Rajonal të Fierit, në data të ndryshme iu kanë marrë një sasi lekësh qytetarëve të ndryshëm që shkonin për vizita mjekësore.

 “Pas videos së publikuar në emisionin investigativ ‘Stop’ në mbrëmjen e datës 03 Qershor 2021, të dy rasteve korruptive të kryer nga dy mjek në Spitalin Rajonal Fier, Strukturat e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me Task Forcën e Prokurorisë Fier, morën masa të menjëhershme policore e procedurale me qëllim, identifikimin dhe shoqërimin e tyre si edhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë korruptive të dy mjekëve.

Në përfundim të veprimeve hetimore, u bë ndalimi për veprën penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’, i shtetasve A. S., 54 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek psikiatër pranë Spitalit Rajonal Fier dhe E. Sh., 47 vjeç, banues në Kuçovë, me detyrë mjek ORL pranë Spitalit Rajonal Fier.

Këta shtetas, në data të ndryshme gjatë ushtrimit të funksionit ju kanë marrë një sasi lekësh qytetarëve të ndryshëm që shkonin për vizita mjekësore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për hetime të mëtejshme.”– thuhet në njoftimin e policisë.

Në kamera u filmua mjeku psikiatër Agim Sula, i cili shihet duke i marrë një qytetareje 10 mijë lekë, pasi ajo kërkoi konsultë për dhimbjet e kokës.

Ndërsa mjeku tjetër ORL, Eduart Shyti, kërkon 50 mijë lekë për një operacion në vesh pas pas një infeksioni.

Të dy janë pezulluar nga detyra.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të denoncojnë çdo rast korruptiv, abuziv dhe sjelle jo korrekte pranë strukturave të shëndetësisë, duke i siguruar se çdo rast që njollos punën e qindra e mijëra bluzave të bardha, do të marrë ndëshkimin e merituar. Ministria e Shëndetësisë falenderon emisionin Stop në TV Klan për denoncimit e dy rasteve korruptive dhe inkurajon qytetarët të mos bëhen palë e veprimeve të tilla, por t’i denoncojnë në çdo rast.”- reagoi pas programit televiziv, Ministria e Shëndetësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re