Naim Bajri, 68-vjeç, është viktima e radhës e përplasjeve me armë mes fiseve në Shkodër, që kanë shkaktuar dhjetra të vrarë në këto vitet e fundit.

Biznesmeni i peshkut u ekzekutua mëngjesin e sotëm në afërsi të markatës në lagjen rus, teksa ishte duke pirë kafen me punëtorin e tij, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur, si pasojë e breshërisë së armës. Astrit Zeneli fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Bajri dyshohet se është qëlluar me 10 plumba, nga dy persona të maskuar, ndërkohë që makina e autorëve u gjet e djegur disa minuta pas ngjarjes në Baypasin e Shkodrës.

Lidhur me ngjarjen kanë reaguar dhe blutë e Shkodrës:

Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Zinxhiri i ngjarjeve kriminale: 

Naim Bajri është viktima e dytë brenda familjes, që vritet me armë zjarri. Në vitin 2001 atij i ekzekutuan me armë djalin, Indrit Bajri, në moshën 21-vjeçare.

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushi ekzekutuan Indrit Bajrin me armë automatike. Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit.

Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus).

Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë (Hajdarin). Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me këtë ngjarje (vrasjen e Indrit Bajrit), Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes se Indrit Bajrit.

Ekzekutimi i Naim Bajrit, gjendet e djegur makina e autorëve, pamje nga vendngjarja. Trupi i viktimës në trotuar

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re