Analisti Enver Bytyçi në një lidhje për Fax news, e ka quajtur të veçantë ditën e sotme për Kosovën, që mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas Bytyçit këto zgjedhje janë duke u pritur me mjaft interes edhe në Serbi, e cila kërkon që të fitojë një parti që të jetë sa më e hapur dhe bashkëpunuese në negociatat mes dy vendeve.

Bytyçi tha se Kosova është tashmë një shembull për të gjithë rajonin në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të rregullta, dhe për herë të parë OSBE nuk çoi vëzhgues për monitorimin e tyre.

“Zgjedhjet priten me mjaft interes në Serbi, në SHBA dhe BE, pak minuta më parë gazeta më e madhe gjermane, i përshkruan zgjedhjet e Kosovës me mjaft interes. Është shumë e rëndësishme që Kosova paraqitet si një vend demokratik ku mbahen zgjedhje të lira dhe të drejta. Procesi zgjedhor i drejtë, pa zhurmë dhe pa konflikte ka krijuar një imazh pozitiv për Kosovën, duke e bërë model në të gjithë rajonin.

Është model për Shqipërinë dhe Serbinë, po ashtu në procesin e numërimit të votave dhe të vëzhgimit të tyre. Janë 30 mijë vëzhgues vendor, për herë të parë OSBE nuk ka vëzhgues të saj, pasi është krijuar besimi se Kosova mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Janë 100 mijë shqiptarë si kurrë ndonjëherë që do të shprehin vullnetin e tyre politik në Kosovë, është shprehje e një interesimi të jashtëzakonshëm. Pritet që Kosova të hyjë në një epokë të re, sidomos në ndërtimin dhe krijimin e një shteti ligjor”, tha Bytyçi.

“Zoti Kurti përmendi dy shtylla kryesore në ardhmërinë e vendit, demokracia dhe legjitimiteti i qeverisjes. Nëse ato do të realizohen do e bëjnë Kosovën një model, e cila do të pasohet me investime në infrastrukturë dhe në mirëqenien e njerëzve”, tha më tej analisti.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re