Pas arrestimit të kryetarit të bashkisë Veliaj, një nga drejtoreshat e fuqishme që ka lënë është drejtorja e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit Liri Qoshi . Qoshi detyrohet të anulojë një tender për zyrën e saj për herë të dytë, prokurimin e 120 milionë lekëve të sistemit të ngrohje ftohjes në zyrën e saj, në Rrugën “5 maj”, Tiranë.
Drejtoresha Qoshi, pranon korrupsionin në komisionin e tenderit
Akoma më e veçantë është arsyeja e anulimit të tenderit. Çështja thuhet se mund të përfundojë në prokurori pasi janë zbuluar elemente të korrupsionit brenda komisionit të tenderit. Zyrtarisht mësojmë se drejtorja Liri Qoshi ka aktivizuar nenin 19, pika 4 të Ligjit mbi Prokurimet Publike (LPP).

Por çfarë thotë ligji për këtë rast? “Në rast se gjatë fazës së studimit paraprak të tregut, të përgatitjes së dokumenteve të tenderit ose në momentin e hapjes së ofertave evidentohet se një ose disa prej kandidatëve/ofertuesve ndodhen në kushtet e konfliktit të interesit me një ose disa prej zyrtarëve të caktuar për studimin e tregut/përgatitjes së dokumenteve të tenderit apo vlerësimin e kërkesave/ofertave dhe kjo situatë konflikti nuk mund të evidentohej përpara këtij momenti, atëherë titullari i autoritetit kontraktor, në varësi të dëmit që mund të jetë shkaktuar, vendos nëse duhet të zëvendësohen anëtarët e komisioneve të konstatuara në kushtet e konfliktit të interesit e të vijojë procesin apo të anulojë procedurën e prokurimit”, shkruhet në pikën 4 të nenit 19 të LPP.

Pra, drejtoresha pranon korrupsionin dhe vendos në vend “drejtësinë” për këtë tender. Shumë e bukur për tu besuar!
Për më tepër kjo është hera e dytë që tenderi anulohet. Më 21 tetor 2024 tenderi u anulua me justifikimin “Nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme në procedurat me një fazë”.






