Policia e Shtetit hap aplikimet për studentët që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta në disa degë të caktuara dhe duan të bëhen pjesë e strukturave të këtij institucioni.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përcaktuar kriteret për rekrutimin e 100 studentëve që kanë përfunduar universitetin me rezultate të larta dhe dëshirojnë të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Aplikimet bëhen pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm nga data 04 korrik deri ne 31 korrik.
Njoftimi i plotë për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët:
Kuotat e pranimit në Policinë e Shtetit të shtetasve që kanë përfunduar ciklin e dytë të studimeve të Arsimit të Lartë janë 100, nga të cilat:
-60 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike.
-30 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë).
-10 kuota për shtetas që kanë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë).
Kriteret e përgjithshme për pranimin e këtyre kandidatëve në Akademinë e Sigurisë:
– të jenë shtetas shqiptarë;
– të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të Sigurisë Kombëtare apo të jenë larguar nga shërbimi civil;
– të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
– të jenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të aftë fizikisht për të kryer detyrën;
– të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e ndonjë krimi apo për kryerjen e ndonjë kundravajtjeje penale me dashje;
– të jenë të pajisur me vërtetim besueshmërie;
– të kenë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
Ndërsa kriteret e veçanta që duhet të plotësojnë aplikantët për t’u pranuar në këtë cikël janë:
– të kenë përfunduar ciklin e parë dhe të dytë të studimeve në shkencat juridike, shkencat ekonomike (degët ekonomi, financë) ose shkencat kompjuterike (degët informatikë, elektronikë):
– të jenë nën moshën 30 vjeç;
– të kenë mesataren e cikleve të studimit mbi “8”;
– të jenë me gjatësi jo më pak se 175 cm për meshkujt dhe jo më pak se 165 cm për femrat;
– të kenë njohuri të gjuhës angleze në nivelin mbi 60 pikë sipas standardit ALCPT;
Aplikimet duhet të bëhen nëpërmjet portalit të Akademisë së Sigurisë, nga data 04 korrik 2019 deri në datë 31 korrik 2019, ndërsa dosja fizike e aplikimit duhet të dorëzohet pranë Drejtorive Vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.
Aplikantët që plotësojnë kriteret dhe paraqesin dokumentacionin e kërkuar, më pas do t’u nënshtrohen fazave të vlerësimit, të cilat janë:
-Vlerësimi sipas notës mesatare, e cila përfitohet nga llogaritja e mesatares së dy cikleve në të njënjtën fushë studimi;
– vlerësim me testim i njohurive të gjuhës angleze sipas standardit ALCPT;
– intervistimi i aplikantëve;
– kontrolli shëndetësor;
– marrja e shenjave të gishtave;
– verifikimi përfundimtar i aplikantit;