Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar veprimtarinë humanitare të kryer nga Kryqi i Kuq shqiptar me rastin e 100-vjetorit të themelimit të saj.

Kreu i shteti e ka vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, teksa ka shprehur mirënjohjen për kontributet e pandërprera të shoqatës më të vjetër në vend.

Në ceremoninë solemne të mbajtur në Pallatin e Brigadave, Kreu i Shtetit i akordoi këtë vlerësim, me motivacionin:

“Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e spikatura fisnike dhe përkushtimin e vazhdueshëm 100-vjeçar në shërbim të njerëzve në nevojë. Në vlerësim të veprimtarisë së pandërprerë vullnetare dhe humaniste të dhënë për çështje të ndryshme si: mbështetja e shtresave më në nevojë; dhënia e ndihmës së parë; përgjigjja në raste katastrofash natyrore dhe njerëzore si dhe promovimi i dhurimit vullnetar të gjakut.”

Në fjalën përshëndetëse para drejtuesve, anëtarëve, veprimtarëve dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, ambasadorëve, klerikëve dhe drejtuesve të bashkësive fetare, artistëve dhe intelektualëve të pranishëm, Presidenti Meta u shpreh midis të tjerash:”Gjatë gjithë historisë së tij 100-vjeçare, kontributi i Kryqit të Kuq Shqiptar ka shkëlqyer në ndihmë të njerëzve në nevojë, veçanërisht në momentet më kritike.

Programet sociale, programet e shëndetit, programet për përgatitjen dhe përgjigjen në raste katastrofash, programet për rininë dhe edukimin humanitar, programet e ndihmës së parë, kanë pasur një impakt të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë, e sidomos për shtresat në nevojë dhe po kështu për të promovuar vullnetarizmin.

Programi i dhurimit vullnetar të gjakut, i shtirë në të gjithë vendin, ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e gjakut për fëmijët telasemikë dhe kategoritë e tjera të qytetarëve me këtë nevojë kaq jetike.

Po ashtu, ai ka rritur ndërgjegjësimin e të rinjve e të rejave sidomos, por edhe qytetarëve të thjeshtë të vendit tonë, për të dhuruar gjak dhe për të shpëtuar jetë

Kryqi i Kuq Shqiptar e ka vënë në zbatim këtë përmes veprimtarisë së tij për një shekull, e do vazhdojë me përkushtim dhe profesionalizëm edhe në të ardhmen, duke u gjendur në krah të njerëzve më në nevojë, pa dallime sociale, fetare apo bindje të ndryshme.

Me rastin e 100-vjetorit të themelimit dhe në mirënjohje e vlerësim për gjithë kontributin fisnik të dhënë ndër vite dhe dekada, kam nderin t’i akordoj shoqatës humanitare më të vjetër dhe më prestigjioze në vendin tonë, Kryqit të Kuq Shqiptar, Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’! Urime edhe në 100 vitet që vijnë!”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re