Kandidatja për deputete në listën e hapur të Tiranës, nën siglën e PS-së, Mimi Kodheli, është shprehur se 11 maji – dita e zgjedhjeve parlamentare – duhet të jetë ditë feste, jo agresiviteti dhe urrejtjeje.
Ajo tha se ajo ditë vlen për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj njerëzit duhet të shkojnë të qetë për të shprehur vullnetin e tyre.
“11 maji duhet të jetë një ditë feste. Nuk duhet të jetë as ditë agresiviteti, as urrejtjeje. Është ditë kundërshtie politike, por është një ditë që vlen sa shumë ditë, sepse vlen për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj edhe njerëzit duhet të shkojnë të qetë atë ditë për të votuar”, tha Kodheli.
E pyetur për mbështetjen që ka nga familja, gjatë këtyre ditëve intesive të fushatës, ajo u shpreh se bashkëshorti i saj – të cilin e konsideron tifozin e saj më të madh – e këshillon që të shohë shëndetin.
Për mundësinë e largimit nga politika, Kodheli tha se ka ende për t’i dhënë shoqërisë dhe politikës, teksa nënvizoi se e rëndësishme për të është të kuptojë momentin se kur duhet të ikë.
“Ata (familja) janë heronjtë e vërtetë, jo unë. Bashkëshorti im, i cili mbetet tifozi im më i madh, më tha të lutem shiko shëndetin. Jam mësuar. Mbase vjen një ditë që do të filloj të relaksohem, por e gjykoj se nuk do të jetë pas 11 maji. Kam për të dhënë ende për shoqërinë, për politikën. E rëndësishme është të kuptoj ditën e duhur kur duhet të largohem. Dhe besoj që do të mbërrij ta kuptoj atë ditë”, tha Kodheli.