Shtetet e Bashkuara, por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 20-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001. Reagime përkujtimore kanë dhënë edhe politikanët shqiptarë përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta, ndërkohë që më herët ka reaguar dhe kryedemokrati Basha.

Rama shkruan se kjo ditë do të mbetet në kujtesë dhe vetëdijen e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë.

“20 vjet më parë, 11 shtatori hyri në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë, duke goditur mizorisht simbolin e tij, Amerikën, mu në zemrën e saj. Sot e përgjithmonë, 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë”, shkruan Rama.

Ndërkohë që presidenti Meta ka përkujtuar edhe kapitenin shqiptar që humbi jetën në Afganistan Feti Vogli.

“Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan! Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq.

Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.

Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit! I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit!”, shkruan Meta në postimin e tij në rrjetet sociale.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re