Myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari ka reaguar për rastin e Alvin Berishës, fëmijës shqiptar që ndodhet në një nga kampet e ISIS në Siri.

Përmes një deklarate për mediat, Myftiu bëri thirrje se familjet shqiptarë që janë mashtruar nga propagandat e ISIS duhet të kthehen në Atdhe përmes ndihmës së shtetit.

Ai tha se “diplomacia me te gjitha format duhet te interesohet dhe të luaj një rol vendimtar qoftë edhe për kthimin e një fëmije”.

“Familjet e shqiptarëve të gënjyer apo të mashtruar nga propaganda false të atyre ditëve të kthehen një orë e më parë në vendin e tyre. Sepse nuk kanë faj fëmijët e tyre për gabimet e prindërve.

Normalisht diplomacia me të gjitha format duhet të interesohet dhe të luaj një rol vendimtar qoftë edhe për kthimin e një fëmije. Të çdo fëmije, por edhe çdo shqiptar është i shenjtë për tokën tonë. Ne si komunitet fetar i qëndrojmë thirrjeve tona dhe nuk tërhiqemi.

As nuk e ndryshojmë thirrjen tonë për asnjë arsye sepse është thirrje e drejtë dhe ajo që ka ndodhur në Siri gjatë këtyre viteve është një zullum i madh të cilin nuk e kemi dëshiruar dhe nuk e pranojmë dhe nuk e pranon asnjë mendje e shëndoshë”, tha Myftiu i Shkodrës në një prononcimin për ‘News 24’.

Alvin Berisha është 11-vjeçari shqiptar që ka mbetur peng në kampet e Sirisë. Afrim Berisha, babai i tij ka pesë vite që e kërkon dhe nëpërmjet emisionit “Le Iene”, e gjeti të birin në Siri.

Por Alvini ka mbetur sërish në kampet e ISIS, pasi qeveria shqiptare, konkretisht ambasadori Gent Gazheli, nuk është angazhuar për kthimin e të voglit në Itali pranë të atit dhe dy motrave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re