Kushërira e saj u diagnostifikua me kancer kur ende nuk i kishte bërë 365 ditë në këtë botë. E pikërisht prej kësaj ngjarje kaq të trishtë, kjo 11 vjeçare vendosi të bëjë diçka të bukur.
Gjatë vizitës në spital për kushërirën, Xhuliana Dema (Giuliana Demma) kishte vënë re se të gjithë fëmijët i vishnin në spital me disa rroba… që asaj nuk i pëlqyen.
“Po mendoja, mbase mund të qep unë disa veshje për këta fëmijë që vuajnë nga kanceri njëlloj si kushërira ime”-tregon 11 vjeçarja për CBSnews.
Kësisoj vogëlushja mësoi për afro 2 vite sesi të përdorte makinën qepëse, e që prej asaj kohe nuk ka ndaluar së qepuri veshje për fëmijët e sëmurë nga kanceri. Ajo tregoi se punon me qepje deri në tre orë në ditë, fill pasi vjen nga shkolla.
“E bëj këtë punë sespse mendoj se është më e rëndësishme se shumë gjëra të tjera që mund të bëja”

Deri më tani, kjo 11 vjeçare bamirëse, ka dhuruar 170 veshje për fëmijët kudo në SHBA si dhe ofron “shërbime” për ta, duke u lënë në dorë fëmijëve të zgjedhin sesi i duan veshjet e tyre, ngjyrat, e kështu me radhë.
Bamirësia e puna e kësaj 11 vjeçareje, është bërë aq popullore, saqë tashmë njerëzit i dhurojnë asaj para në mënyrë që të blejë copat me të cilat ajo qep veshje. E më e bukura, modeli që kjo vajzë përcjell, është dhe “ngjitës”.
Shumë shoqe të saj i kanë kërkuar Xhuljanës që ajo t’i mësojë të qepin, në mënyrë që edhe ato mund të ndihmojnë.
“Kemi një mësuese shumë të mirë”-tha një nga shoqet e 11 vjeçares.