Nga sheshi “Skënderbej”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi gjithë shqiptarët 111-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Ai tha se shqiptarët janë duke jetuar ditët tona më të mira, kombi ynë nuk ka qenë kurrë më i begatuar, më i prosperuar, kurrë më i lidhur me njëri-tjetrin se sa sot.

 

“Falenderoj nga zemra të gjithë ata që kanë ardhur nga çdo cep i trojeve tona. Kemi pak shi sot, por është bereqet, është begati. I uroj secilit gëzuar festën e flamurit, gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria! Është shumë e rëndësishme, që teksa kemi ambicie për të shkuar përpara, të kthejmë pak kokën pas, edhe të kuptojmë sa rrugë kemi bërë së bashku, sa vështirësi kemi kaluar së bashku. Të frymëzohemi nga një e kaluar që vërtet na ka rrëzuar shpesh, por jemi ngritur më të fortë, më të bashkuar, jemi bërë më të mirë, jemi lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë të pazgjidhshme”, tha Veliaj.

 

Ai shtoi se vizioni i Ismail Qemalit ishte se një pemë që i ka rrënjët në këto troje, po të ketë kujdes lulëzon, ashtu siç ka treguar secili dhe secila që është angazhuar në shërbim të vendit.

 

“Shtatë ditë përpara shpqlljes së pavarësisë, një gazetar austriak intervistoi Ismail Qemalin edhe e pyeti: ‘Po ky është vend shumë i varfër, kjo është një tokë shumë e pacivilizuar, njerëzit janë shtypur nga çdo lloj pushtuesi, nuk e di a mund të jetë ky një vend i pavarur dhe a mund të mbijetojë kjo krijesë e re si shtet’. Ismail Qemali, ia kthen: ‘A duhet prerë një pemë, e cila nuk ka lulëzuar sepse nuk ka pasur kujdes”?’. Kjo është pyetja e 111 viteve përpara. Dhe ashtu si në bahçet tona, në parqet tona, aty ku lulëzojnë të gjitha ato punë të bukura që ndodhin nga kryetarët e komunave, bashkive, gjithmonë pyetja është: “A i mungon kujdesi pemës sonë, rrënjëve tona, degëve tona që janë shpërndarë kudo?”. Unë besoj që vizioni i Ismail Qemalit është që një pemë, kjo pemë e kombit tonë, që i ka rrënjët në këto troje, po të ketë kujdes lulëzon”, nënvizoi Veliaj.

 

Nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Ulqini, Plava e Gucia dhe arbëreshët, Veliaj falenderoi me radhë të gjithë ata që iu bashkuan sot festimeve të 28 Nëntorit në Shqipëri dhe i ftoi që të bëhen bashkë për të ndihmuar bashkitë shqiptare që kanë më shumë nevojë për suport. Ndërsa m, theksoi se duhet të ketë akoma më shumë bashkëpunime për projekte të përbashkëta mes trojeve shqiptare.

 

“Do të doja shumë që të bisedojmë sot për bashkëpunime e të kemi mundësi që të kalojmë në binjakëzime e projekte të përbashkëta. Ëndrra jonë është që takohemi të gjithë në BE. E që të shkojmë në BE, kemi një pafundësi mundësish, mund të aplikojmë për projekte të përbashkëta, të investojmë në shkollat e njëri-tjetrit, të kemi shkëmbime të arsimtarëve, mësuesve, sidomos atyre të gjuhës shqipe, që të sigurohemi që në universitetet tona mësohet tradita dhe kultura”, u shpreh ai.

 

Veliaj tha se vitin tjetër Tirana do jetë Presidenca e B40, rrjeti më i madh i bashkive në Ballkan dhe i ftoi të gjithë të jenë të pranishëm. Në fund kryebashkiaku i ftoi të gjithë pjesëmarrësit të vijojnë për në Paradën e Shqiptarëve, që organizohet për herë të parë në Shqipëri duke bërë bashkë shqiptarët nga i gjithë rajoni dhe bota.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re