Kryeministri Edi Rama shprehet se në kushtet e situatës së krijuar nga koronavirusi, rrjeti i shërbimit social për ata që janë më në nevojë dhe për të ndihmuar me kryerjen e shërbimeve jashtë shtëpie pensionistët kryefamiljarë po hyn në funksion.

Ndërkohë që në qendrat sociale për dy javë janë ngujuar 123 kujdestarë, kuzhinierë, infermierë e staf mbështetës.

“Rrjeti i shërbimit social për ata që janë më në nevojë dhe për të ndihmuar me kryerjen e shërbimeve jashtë shtëpie pensionistët kryefamiljarë, të cilët s’i kanë fëmijët në të njëjtin qytet, po hyn në funksion pjesë-pjesë. Ndërkohë: Për dy javë 123 kujdestarë, kuzhinierë, infermierë e staf mbështetës janë vetëizoluar në qendrat e kujdesit social, pa shkuar fare në shtëpitë e tyre, për t’iu shërbyer me kujdes maksimal atyre që kanë më shumë nevojë në këtë moment të vështirë.

Punonjësit e qendrave sociale po bëjnë një sakrificë fantastike në këto momente, duke i shërbyer të moshuarve të vetmuar, fëmijëve me aftësi ndryshe në qendrat rezidenciale, fëmijëve pa kujdes prindëror dhe shmangur cdo kontakt me jashtë, deri edhe kontaktin me njerëzit e tyre të afërt, me familjet e tyre.

Kjo është Shqipëria e njerëzve që punojnë për njerëzit dhe që ndryshe nga mua, nuk i shihni në televizor a në mediat sociale. Respekt!” shkruan Rama. Kreu i qeverisë ka postuar edhe videon e komunikimit të ministres së Shëndetësisë një prej stafeve të shërbimit social në një nga qendrat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re