Ministria e Shëndetësisë informoi sot se janë kryer 857 testime për COVID-19 në 24 orët e fundit dhe 123 persona kanë rezultuar pozitivë. Fatkeqësisht pesë pacientë nuk ia kanë dalë të fitojnë betejën.

Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se 150 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm në 24 orët e fundit, duke e çuar në 5882 që nga fillimi i epidemisë.

Kanë vijuar testimet për personat e dyshuar të prekur me Covid19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin aktiv të rasteve.
Nga 857 testime të kryera, janë identifikuar 123 qytetarë të prekur nga virusi SARS COV2.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 40 raste në Tiranë, nga 11 raste Durrës, Korçë, nga 8 raste Shkodër, Kavajë, 7 në Fier, nga 6 raste Elbasan, Has, 5 në Berat, nga 4 raste Pogradec, Sarandë, 3 në Kukës, nga 2 raste Lezhë, Malësi e Madhe, nga 1 rast në Krujë, Lushnje, Vlorë, Bulqizë, Shijak, Skrapar.

Në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 190 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.
Gjithashtu në dy spitalet COVID janë duke marrë shërbim të specializuar 20 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen; një 56 vjeçar nga Cerriku një 80 vjeçar nga Kurbini, një 82 vjeçar nga Elbasani dhe 2 qytetare nga Tirana : një 68 vjeçare dhe një 77- vjeçare.
I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të higjienës, distancimit dhe vendosjes së maskës.

Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.

Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19.
Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid19

COVID-19 – Statistika (4 Shtator 2020)

Testime totale 66197
Raste pozitive 9967
Raste të shëruara 5882
Raste Aktive 3779

Humbje jete 306 (Qarku Tiranë 145, Durrës 41, Shkodër 36, Elbasan 19 , Fier 15, Korçë 12, Lezhë 12, Kukës 8, Vlorë 6, Dibër 6, Gjirokastër 4, Berat 2)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2066
Durrës 452
Shkodër 293
Lezhë 196
Korçë 135

Kukës 129
Elbasan 127
Vlorë 121
Fier 114

Berat 73
Dibër 39
Gjirokastër 34

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re