Në Kursin e Lartë të Sigurisë edhe Mbrojtjes (KLSM), i cili u zhvillua për 10 javë në Akademinë e Forcave të Armatosura u diplomuan për këtë vit 13 kursantë.

Pjesë e tij ishin ushtarakë të lartë dhe civilë nga një sërë vendesh partnere si Anglia, Turqia, Kroacia, Italia, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia.

Në ceremoninë e diplomimit të tyre mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila pasi uroi të gjithë studentët, tha se ky kurs në vitin e XI të tij ka një rëndësi që shkon përtej thjesht përgatitjes së një numri studentësh nga fusha e mbrojtjes.

 

“Ky kurs ka për ne një rëndësi që shkon përtej sepse ai është në fakt, si të thuash qershia mbi tortë i gjithë përpjekjes sonë për të ngritur një sistem arsimimi ushtarak vërtet modern dhe cilësor siç i takon një ushtrie moderne të një vendi anëtar të NATO-s. Jemi duke punuar shumë për të ngritur strukturat e logjistikën, kemi bërë shumë për të shtuar financimet dhe kemi ende shumë për të bërë për atë që është elementi ndoshta më i vështirë, por edhe më thelbësor pa diskutim, ngritja e kapaciteteve akademike e njerëzore që nevojiten për një sipërmarrje kaq të vështirë”, tha ministrja Xhaçka.

 

Kursi i Lartë i Sigurisë edhe Mbrojtjes ka si qëllim arsimimin e liderëve civilë dhe ushtarakë nga Shqipëria, vendet e rajonit, vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere për të kuptuar situatat komplekse në ambientin strategjik të sigurisë, dhe të rrisë aftësitë e të menduarit në mënyrë strategjike.

 

Gjatë ceremonisë së përfundimit të këtij kursi morën pjesë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Bajram Begaj, ambasadorja franceze në Tiranë Christina Vasac, komandantë forcash, etj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re