15 Marsi shënon 13 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona si dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, pas një shpërthimi në fabrikën e municioneve. Teksa dosja është zvarritur gjykatave, sot asnjë person nuk ndodhet pas hekurave për atë tragjedi me përmasa të frikshme, ku mbetën të vrarë edhe fëmijë.

Lidhur me këtë datë tragjike, ka reaguar dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili thotë se drejtësia amerikane ka nxjerrë përfshirjen e djalit të ish-kryeministrit Berisha në atë shpërthim të tmerrshëm.

Sipas numrit 2 të PS, Gjykata e Floridas është shprehur se Shkëlzen Berisha nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme që rrëzojnë përfshirjen e tij në këtë tragjedi.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

13 VITE NGA KRIMI SHTETËROR I GËRDECIT. EDHE PSE DREJTËSIA SHQIPTARE KA DËSHTUAR DERI MË SOT TA HETOJË PLOTËSISHT, VENDIMI PAK KOHË MË PARË I DREJTËSISË AMERIKANE KONFIRMOI PËRFSHIRJEN DHE FAJËSINË E SHKËLZEN BERISHËS DHE TË SALI BERISHËS NË MASAKRËN E GËRDECIT. VENDIMI I GJYKATËS AMERIKANE MBETET REFERUES PËR RI-HAPJEN E HETIMIT PËR KRIMIN SHTETËROR NË GËRDEC.

Një Gjykatë Apeli në SHBA rrëzoi pretendimet e Shkëlzen Berishës duke u shprehur se faktet e përmbledhura në librin “Armët dhe Çunat” të Guy Laëson dhe ekranizimin “Qentë e Luftës”, të cilat akuzonin Shkëlzen Berishën si i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh.

Shqiptarët e dinë se Shkëlzen Berisha u akuzua publikisht dhe u mor në pyetje në fshehtësi nga prokurorët për këtë çështje, për ngritjen e një magazine të paligjshme demontimi armësh, shpërthimi i të cilës shkaktoi krimin shtetëror të Gërdecit. Prokuroria asokohe, e vendosur nën thundrën e Sali Berishës, edhe pse me prova, nuk guxoi t’i komunikojë akuzën.

Gjyqtarët amerikanë në vendimin e tyre, kanë konfirmuar Vendimin e Gjykatës së Floridas, duke u shprehur se Shkëlzen Berisha nuk solli prova që rrëzojnë faktet e publikuara dhe “nuk solli argumente të bazuara përmes të cilave të mbërrinte në përfundimin e se gjykata e distriktit (Floridas) abuzoi duke mos i dhënë kohën e duhur për të sjellë provat.”

Ky vendim gjykate edhe pse i karakterit civil, përmban në brendësi indiciet për ri-hapjen e hetimit ndaj Shkëlzen Berishës lidhur me përfshirjen e tij në atë tragjedi të rëndë.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re