Edhe pse kanë kaluar 13 vite nga ngjarja e rëndë e 21 janarit të vitit 2011 ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ende kjo ngjarje mbetet e pazbardhur.

Pak javë më parë Gjykata e Strasburgut urdhëroi rifillimin e hetimeve, duke e rikthyer sërish çështjen, ky vendim u prit mjaft mirë nga familjarët, të cilët e panë si shpresë për vendosjen e drejtësisë.

13 vite pas kësaj ngjarjeje të rëndë, një nga familjaret e viktimave ka rrëfyer në “vizioni i Pasdites” të moderuar nga Brikena Prifti në Vizion Plus, se çfarë presin nga drejtësia.

Trëndafile Muhametaj motra e Ziver Veizit, një prej katër të vrarëve në protestë, ka treguar se pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut është rikthyer besimi se mund të ketë drejtësi.

Ajo ka rikujtuar edhe momentin e 13 viteve më parë kur mësoi se i ishte vrarë vëllai në protestë.

Pjesë nga biseda:

Brikena Prifti: Në çfarë pike është drejtësia, sidomos pas 13 vitesh?

Trëndafile Muhameti: Nuk kemi patur besim se do të dilte e vërteta. Me këtë rihetimin nga Gjykata e Strasbuguut kemi shpresë se do të vejë drejtësia në vend.

Brikena Prifti: Çfarë kërkoni konkretisht?

Trëndafile Muhameti: Të dalin urdhëruesit dhe vrasësit e katër protestuesve mes tyre edhe vëllai im.

Brikena Prifti: Edhe pse kanë kaluar 13 vite.

Trëndafile Muhameti: Ne do të kërkojmë deri sa të vejë drejtësia në vend.

Brikena Prifti: Si ka qenë jeta juaj pas humbjes së vëllait tuaj?

Trëndafile Muhameti: Unë e kam përjetuar dhe po e përjetoj shumë keq, vrasjen e vëllait tim. Ai është vrarë fare kot, ka qenë një protestues me duar në xhepa. Çdo 21 janar që shikoj videot më duket sikur e kam në atë moment dhimbjen siç e kam patur.

Brikena Prifti: Si e kujtoni atë moment?

Trëndafile Muhameti: E kam të memorizuar. Kam qenë duke e ndjekur protestën në Gjirokastër,. Nuk doja ta lija vëllain të ikte. Ai ka qenë shumë i mërzitur nga sistemi, ishte i sëmurë dhe nuk i jepnin invadilitet apo t’i jepnin një punë të lehtë. Më tha do iki, nuk më dëgjoi. Isha duke e ndjekur protestën. Isha vetë e para pasi kamë marr vesh vrasjen e vëllait, pasi i bija telefonit dhe nuk kapte. Më në fund kapi zilja dhe ma hapi një i panjohur, i thashë më jep çikë vëllain të flas, më tha që vëllai jua ka marrë një plumb në zemër. Kam dalë jashtë shtëpisë, kam bërtitur, kam kaluar në gjendje kome se më erdhi një gjë e papritur.

Brikena Prifti: Ju nuk donit të shkonte në protestë, madje i thatë mos ikte në Tiranë.

Trëndafile Muhameti: Jo nuk kam dashur, pasi ishte i sëmurë, ishte invalid. Mbrapa vëllait tim kanë shkuar edhe vajzat e mia, nipat e mi. Ata nuk ishin në protestë ishin në shtëpitë e tyre, kur e morën vesh shkuan me vrap në spital, kanë kaluar një traumë të paparë. E kam përjetuar shumë shumë keq vdekjen e vëllait tim. Pasi kam qenë edhe e helmuar dy vjet para se të më vrisnin vëllain, pasi dy vjet para tij më vdiq një tjetër vëlla në aksident, edhe për atë nuk kemi gjetur të drejtë.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re