Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, uroi sot nga Elbasani të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës, duke paralajmëruar ndryshimin që pritet të sjellin zgjedhjet e 25 prillit.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, Patozi tha se në stinën e ndërrimit të gjakut urimi më i mirë do të ishte mot më shumë dhe mot më mirë për cdo qytetar të këtij vendi.

Por sot në Elbasan, vijoi ai, nuk ishte një ditë me diell, por një ditë gri. Gjë që tregon se vera vetëm festën ka sot, por duket se ajo do të vonohet pak. Ne shpresojmë shumë që ajo të vijë më 25 prill, por që kjo të ndodhë qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë duhet të ndërrojnë dyqanin e ballokumeve.

Sepse nuk mund të shkojnë tek të njëjtët shitës mashtrues, që i gënjejnë me produkte falso dhe ballokume të prishura, një herë në çdo dy vjet, sa herë ka zgjedhje në Shqipëri. Ndaj edhe ajo që presim është që ata të refuzojnë afertat e rreme më 25 prill, por të përqafojnë ndryshimin.

Edhe sot në Elbasan ata e treguan se nuk kanë ndryshuar asgjë, pasi u zunë dhe u sherrosën me njëri-tjetrin, duke e bërë të qartë se është e vetmja gjë që dinë të bëjnë, madje edhe në ditë feste, kur politika normalisht duhet të ulë armët.

Patozi i bëri këto deklarata pas një takimi me kandidatët për deputetë të Bindjes Demokratike për Qarkun e Ebasanit, të clët shprehën besimin për një sukses të sigurt në zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë udhëheqësi i listës për Qarkun e Elbasanit, Erjon Murataj, u shpreh i bindur në fitoren e së resë në këto zgjedhje dhe tha se atë e përfaqëson më shumë se kushdo tjetër Bindja Demokratike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re