Pas denoncimit të rastit në emisionin investigativ “Fiks Fare”, bie në prangat e policisë infermieri i laboratorit që falsifikoi një dokument shëndetësor kundrejt shumës 15 euro, me qëllim kalimin e kufirit në drejtim të Maqedonisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, pas publikimit të rastit mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku në pamjet filmike u transmetua punonjësi i një laboratori/klinike pranë Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, i cili kundrejt shumës prej 15 euro, pa kryer asnjë analizë për COVID-19, i lëshoi një shtetaseje (konkretisht gazetares së këtij emisioni), përgjigjen negative të Rapid Testit (testit antigjen), menjëherë kryen verifikimet e rastit, me qëllim vënien para përgjegjësisë penale të këtij shtetasi.

Në përfundim të veprimeve procedurale, nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, i shtetasit M. XH., 27 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, me detyrë infermier.

Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, falenderon bashkëpunimin me mediat dhe qytetarët dhe i fton të denoncojnë çdo paligjshmëri të konstatuar, duke ju garantuar reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re