Skip to content

15 vite pa dritën e syve, momenti prekës kur nëna shikon sërish të bijën

Koni Park bënte një jetë të thjeshtë. Ishte shofere e një autobusi. Afro 15 vite më parë ishte nisur për të dërguar drejt spitalit fëmijë të prekur nga kanceri që kryenin seancat e kemio-terapisë. Një ‘punë’ që ajo e kryente vullnetarisht.

“Teksa po kthehesha në shtëpi, nisa të shoh turbullt. U nisa për një vizitë duke menduar se ose isha thjesht e lodhur, ose kisha nevojë për një mjekim. Doktori tha se kisha humbur në mënyrë të ndjeshme shikimin, mendonte se kisha glaukoma”– kujton Koni (Connie Parke).

Brenda pak javësh gruaja humbi plotësisht shikimin. Doktori i kishte thënë se nuk kishte çfarë të bënte, por që duhej të mësohej me faktin se do të ishte e verbër përgjatë gjithë jetës. Në shtëpi shpesh herë ajo përplasej me muret e ishte e çorientuar. Një herë kishte djegur një perde pranë kuzhinës.

“Kur vajza ime mësoi për këto gjëra, menjëherë më tha që duhej të shkoja në shkollë, për të mësuar sesi të jetoj e verbër.”-kujton Koni.

“Më kujtohet kur nëna më tregoi. Ajo kishte nevojë për ndihmë. I kisha bërë një premtim nënës qëkur isha e vogël, se do të isha gjithnjë aty për ta ndihmuar, se nuk do ta lija dhe se do të kujdesesha për të kur të plakej”-kujton vajza e saj.

Koni e pranoi faktin se do ta jetonte pjesën tjetër të jetës e verbër… derisa vite më vonë, rastësia i solli një lajm të mrekullueshëm.

“Një doktor ekspert më vizitoi. Ekspert për retinat e syrit. Ai më tha se isha diagnostifikuar gabim dhe se retinat e mia nuk kishin asnjë problem. Më sugjeroi që të shihja një ekspert për kataraktet e syrit”-kujton gruaja.

E më tutje, Koni iu nënshtrua dy operimeve. Pas tyre, shikimi i saj erdhi. Ky ishte momenti kur ajo sheh për herë të parë të bijën.