Aktivisti Aulon Kalaja ka folur në Fax News për protestat që u mbajtën në kryeqytet për ekzekutimin e Klodian Rashës nga një efektiv policie duke treguar se çfarë ka ndodhur me të rinjtë që janë shoqëruar nga protesta.

Kalaja tregoi se kanë qëndruar nëpër qeli 150 të mitur dhe kanë ngrënë groshë të pazier e janë mbajtur në kushte ekstreme. Ndërkohë shtoi se një mjek i ka dhënë dëshmi për dhunën barbare që i është ushtruar të rinjve nga policët dhe janë detyruar të marrin ambulancat për ti dhënë trajtimin e duhur.

“Pra nga popull dele, u kthyen në popull ujk që të shqyen për të drejtat e veta. E parë në këtë këndvështrim, gjykoj që Edi Rama nuk mund të ketë pranga për të arrestuar të gjithë popullin, të gjithë çunat e lagjes apo të rinjtë e Shqipërisë, të cilët u derdhën në shesh dhe secili bënte protestën e tij në mënyrën e tij. Pa diskutim që kemi të bëjmë me afro 500 arrestime, nga të cilët 150 të mitur janë nëpër qeli dhe i kanë dhënë groshë të pazier e i kanë mbajtur në kushte mizerabël kur jemi në kohë pandemie.

Kemi pasur edhe raste kur ka shkuar ambulanca në komisariate ku i është dhënë ndihma disa të rinjve që janë rrahur barbarisht nga policia. Këtë dëshmi e kam nga një mjek i urgjencës, i cili ka asistuar vetë në një nga komisariatet e Tiranës. Protestat vazhduan edhe pas Sandër Lleshajt. Nuk u bë transparencë se nga kush drejtohej operacioni për të ndalur protestat”, tha Kalaja.

(A.M/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re