Kur kanë kaluar plot 29 vite nga rënia e sistemit komunist, Policia e Shtetit ka pasur plot 16 drejtorë të përgjithshëm.

Kryepolici i parë pas ndryshimit të sistemit, i emëruar nga Partia Demokratike, është Astrit Mehja, i pasuar më pas nga Sabri Jaçaj dhe Agim Shehu, ky i fundit la detyrën dhe u largua fshehurazi nga vendi, pas trazirave të vitit të mbrapshtë1997.

Goditjen më të madhe Policia e Shtetit e ka përjetuar në trazirat e vitit 1997, kur u dogjën dhe u shkatërruan plot 10 komisariate në të gjithë vendin.

Me ardhjen e socialistëve në pushtet, në krye të policisë u emërua Sokol Baraj, që u pasua nga Besnik Bregu, Hasan Ahmetaj, Veton Gjoliku, Veli Myftari, Bilbil Mema dhe Bajram Ibraj, të gjithë këta e kanë drejtuar policinë në harkun e viteve 1997-2005.

Bajram Ibraj, ka qenë drejtori më jetëgjatë në Policinë e Shtetit, ku qëndroi në postin e drejtorit rreth katër vite e gjysmë. Gjithashtu Ibraj, është i vetmi drejtor, i cili nuk është shkarkuar pas ndërrimit të pushteteve.

Ai mbajti postin e drejtorit për dy vjet edhe në mandatin e parë të qeverisë Berisha, por më pas u zëvendësua nga Ahmet Prençi, i cili ia la detyrën Hysni Burgajt. Me ardhjen e Ramës në pushtet në vitin 2013 në krye të policisë fillimisht u emërua Artan Didi, i vetëlarguar në shkurt 2015, kur u zëvendësua nga Haki Çako.

Ky i fundit u shkarkua në maj të vitit 2018 dhe u zëvendësua nga Ardi Veliu, i cili vetëm dy ditë më parë dha dorëheqjen e në vend të tij këtë të enjte në krye të Policisë së Shtetit u emërua Gledis Nano.

Ish-drejtori i Antiterrorit do të jetë drejtori më i ri që do të drejtojë këtë institucion. Gjithashtu, një fakt tjetër është se ai është i vetmi në këtë institucion që nuk vjen nga rendi, por nga sektori i krimeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re