Apeli i Posaçëm ka dënuar me 190 vite burg në total 35 anëtarë të shtatë bandave kriminale, që trafikonin emigrantë të paligjshëm në këmbim të parave duke falsifikuar dokumentet e udhëtimit ose ato të identitetit.

 

Në vendimin e formës së prerë gjykata vëren se 35 të pandehurit vepronin si grup i strukturuar kriminal. Ata u hetuan për trafikim të mbi 1000 emigrantëve të paligjshëm drejt vendeve të BE, Anglisë, SHBA-së dhe Kanadasë. Pagesat varionin nga 7 mijë paund për në Britani, dhe 25 mijë deri në 30 mijë dollarë për në SHBA e Kanada.

 

Ndërkohë grupi hetimor dyshon se një pjesë e emigrantëve janë braktisur nga trafikantët në vendet e Amerikës Latine edhe pas pagesave të kryera për destinacionin e dëshiruar.

 

Ky grup i strukturuar kriminal u godit ne vitin 2018, nga një aksion i gjerë i policisë shqiptare, në bashkëpunim me policinë franceze, italiane, spanjolle dhe angleze, si dhe dy agjentë specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re