2 milionë euro të vjedhura nga Thesari i Shtetit, ja kush janë dy të akuzuarit në Kosovë

prishtine-2.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurve Labionot Gruda dhe Kadri Shala.

Sipas prokurorisë, Labinot Gruda akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes’’ si dhe “Shpëlarje e parasë’’ në bashkëkryerje me Kadri Shalën.

Ndërkaq, ndaj të pandehurit me inicialet Kadri Shala është ngritur aktakuza për shkak të veprave penale “Shpëlarje e parasë’’ nga neni 308 të KPRK-së, lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Labinot Gruda dhe për veprën penale ‘’Ndihma’’ nga neni 33 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale njofton se si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve L.G dhe K.SH, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej dy milion e shtatëdhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë cent (2,077,995.90) euro.

Lidhur me këtë, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës.

Po ashtu nga ana e të pandehurve sipas prokurorisë do të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë